Nga nesër ndalet transporti publik në Prishtinë/ Rama: Qeveria na ka prerë fondet

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një konferencë për media ka reaguar për situatën financiare dhe institucionale në kryeqytetin e Kosovës, duke thënë se qytetarët po rrezikohen si asnjëherë më parë. Rama tha se kanë kërkuar alokimin e buxhetit dhe theksoi se bllokimi i tij erdhi si pasojë e çështjeve politike.

“Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë. Për herë të parë në historinë e Kosovës po ndodh që qeveria qendrore t’i bllokojë hyrat vetanake të Kryeqytetit, shërbime jetike të Kryeqytetit. Bëhet fjalë për funksione elementare për mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve tona.

Më shumë se një vit, në mënyrë të vazhdueshme dhe plotësisht me dispozitat ligjore kemi kërku alokimin e buxhetit që i duhet Kryeqytetit. Asnjë kërkesë nuk është trajtu. Buxheti i Prishtinës është blloku për çështje krejtësisht politike, 35 milionë euro kur prej tyre 25 milionë euro janë të hyra vetanake dhe 10 milionë të grantit qeveritar janë blloku nga Ministria e Financave me kundërshtim me ligjin dhe me kushtetutë.

Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit në detyrë Murati për shkelje të ligjit. Jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga dhe shërbimet bazike janë në rrezik”, – tha Rama.

Ai bëri të ditur se situata ka arritur në pikën kritike, duke konfirmuar ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme.

“Sapo e përfundova takimin me me përfaqësuesit e ndërmarrjes së transportit publik dhe të shoqatës të tranportit privat dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për shkak të çështjeve të biznesit”, – theksoi ai.

Rama u bëri thirrje institucioneve qendrore që të ndërhyjnë menjëherë për të zhbllokuar situatën. “Në cilësinë e kryetarit të kryeqytetit, qytetarët janë përcaktuar që unë ta drejtoj edhe për një mandat. Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve, zyrtarëve dhe ministrave: veproni. Zgjedhjet kanë përfunduar, tani është koha t’u kthehemi punës”, – shtoi ai. /EkonomiaOnline

The post Nga nesër ndalet transporti publik në Prishtinë/ Rama: Qeveria na ka prerë fondet appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: