Sabrina Carpenter shpërthen ndaj Shtëpisë së Bardhë: “Mos përdorni muzikën time!”

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Këngëtarja e njohur amerikane Sabrina Carpenter ka reaguar ashpër ndaj Shtëpisë së Bardhë, pasi administrata e Presidentit Donald Trump përdori një nga këngët e saj në një video zyrtare në rrjetet sociale. Videoja, e publikuar të hënën, shfaq agjentë të ICE teksa ndjekin dhe arrestojnë persona, ndërsa në sfond dëgjohet hiti i saj i vitit 2024, “Juno”.

Në mbishkrimin shoqërues të videos, administrata kishte përdorur një fjali që i referohej lirës së këngës — “Have you ever tried this one? Bye-bye”, e shoqëruar me emotikone.

Reagimi i Carpenter, 25 vjeçe, ishte i menjëhershëm. Në një postim në platformën X, ajo e quajti videon “të ligë dhe të neveritshme”, duke i kërkuar Shtëpisë së Bardhë: “Mos më përfshini kurrë mua apo muzikën time për të justifikuar agjendën tuaj çnjerëzore.”

Në përgjigje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson, tha: “Nuk do të kërkojmë falje për deportimin e vrasësve, përdhunuesve dhe pedofilëve të rrezikshëm. Kushdo që i mbron këto ‘monstra’ duhet të jetë budalla, apo thjesht i ngadaltë?”

Carpenter, fituese e çmimit Grammy, i shtohet listës me më shumë se dy duzina artistësh që ndër vite kanë kundërshtuar përdorimin e muzikës së tyre nga Trump, mes tyre Neil Young dhe The Rolling Stones.

Presidenti Trump, gjatë mandatit të tij të dytë jo të njëpasnjëshëm, vijon të ketë një prani të fortë në rrjetet sociale. Ekipi i tij i komunikimit shpesh publikon video të shkurtra me këngë të njohura për të ilustruar premtimet dhe veprimet e administratës.

Videoja e së hënës dukej se promovonte fushatën agresive kundër emigracionit të paligjshëm që administrata ka intensifikuar që prej janarit. Kritikat janë shtuar, përfshirë edhe ato të Papa Leos, për mënyrën e zbatimit të këtyre politikave, që përfshijnë arrestime në gjykata, lagje hispanike dhe kontrolle në ndërtesa banimi./mxh

Shpërndaje: