“Pres sqarime”, deklaroi Donald Trump pas takimit në Shtëpinë e Bardhë mes sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio, zëvendëspresidentit JD Vance dhe ministrit të Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen, me pjesëmarrjen e përfaqësueses së Groenlandës, Vivian Motzfeld. Detajet e para të bisedimeve u bënë publike nga delegacioni evropian gjatë një konference për shtyp në Uashington.
Rasmussen e cilësoi takimin “të hapur dhe konstruktiv”, por pranoi se palët mbeten të ndara për mënyrën e garantimit të sigurisë afatgjatë të Groenlandës. Burime brenda delegacionit folën për një klimë të vështirë, duke e përshkruar takimin si problematik.
Ministri danez theksoi se Danimarka mbështetet te marrëveshja e vitit 1951 dhe te NATO, duke e konsideruar të papranueshme çdo ide që cenon integritetin territorial dhe të drejtën e vetëvendosjes së Groenlandës. “Kemi mospajtim thelbësor, por ramë dakord të mos biem dakord”, u shpreh ai.
Trump, nga ana e tij, përsëriti se “nuk përjashton asnjë opsion” për Groenlandën, duke shprehur mosbesim në aftësinë e Danimarkës për ta mbrojtur e vetme ishullin. Ai kishte paralajmëruar më herët në Truth Social se vetëm SHBA-të mund të garantojnë sigurinë, duke përmendur kërcënimin rus dhe kinez.
Ndërkohë, burime amerikane flasin për një ide të JD Vance për blerjen e një pjese të Groenlandës, ndërsa NBC raporton se kostoja e blerjes së gjithë ishullit mund të arrijë në rreth 700 miliardë dollarë. Në planin evropian, Gjermania dhe Franca pritet të angazhohen në misione për forcimin e sigurisë së Groenlandës, në mbështetje të Danimarkës.
The post Zbardhen prapaskenat e takimit të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë për Groenlandën appeared first on Euronews Albania.
