Mënyra se si e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane, Nancy VanHorn ka folur gjatë një takimi me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit këtë të premte është pjesë e një artikulimi të ri të ambasadës amerikane në Tiranë, që ka ndryshuar që pas zgjedhjeve të 11 Majit dhe nxjerr më së miri perceptimin e administratës Trump për vendin tonë.
“Rrjetet kriminale, përfshirë grupet shqiptare që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine të përmendura nga Sekretari Rubio, përbëjnë kërcënime të konsiderueshme për sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë përmes aktiviteteve si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave” u shpreh VanHorn, duke përmbledhur, atë që zyrtarë të DASH e kanë thënë disa herë.
VanHorn e bëri të qartë se prioriteti amerikan në Shqipëri tashmë është zhvendosur për një luftë të vazhdueshme kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve “Kushdo që ndjek Ambasadën e Shteteve të Bashkuara këtu në Shqipëri e di se lufta e krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve janë përparësi kryesore për ne”, u shpreh ajo, duke cituar më pas presidentin amerikan Donald Trump që ka kërkuar eleminimin e organizatave kriminale.
ëashingtoni i kujton Ramës kartelet e drogës në Ditën e Flamurit
Herë me nuanca më të forta dhe herë më të buta, mesazhi është thuajse i njëjti tashmë prej muajsh.
Uashingtoni ka krijuar një qasje e re me Tiranën zyrtare duke përsëritur të njëjtin refren që e artikulon Nancy VanHorn, zyrtarë të departamentit, por edhe që i bashkangjitet urimeve të sekretarit të shtetit, Marko Rubio, për t’u vulosur nga urimi i zyrës së presidentit të SHBA, Donald Trump, siç ndodhi në 28 Nëntor.
Kartelet, trafiku, narkotikët, krimi, organizatat… janë terma që i sheh të artikulohen kur flitet për ekonominë, për investimet në kibernetikë, në takimet me përfaqësues të ministrive, madje edhe në urimin e festës së pavarësisë.
Pas Rubios, edhe Trump na uron Festën e Flamurit duke përmendur organizatat kriminale
Një element domethënës i kësaj narrative është se Uashingtoni nuk e sheh zgjidhjen tek qeveria shqiptare, nuk e sheh aleancën politike si instrument të ndryshimit.
Në vend të kësaj, vëmendja kryesore përqendrohet te SPAK, BKH, Gjykata Kushtetuese, burgjet dhe akademitë e sigurisë, fakt që tregon zhvendosjen e besimit tek institucionet e ndëshkimit penal.
Lapsi.al ka përzgjedhur një listë me shqetësimet kryesore të zyrtarëve amerikanë, të nënvizuara nga njoftimet e ambasadës amerikane.
Nëse lexohen së bashku, ato krijojnë një narrativë të pazakontë për një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.
Kjo është një gjuhë që zakonisht rezervohet për vende problematike të Amerikës Jugore, jo për aleatë euroatlantikë. E parë në total, ajo nuk reflekton vetëm degradimin e marrëdhënieve me SHBA, por shërben në radhë të parë për të kuptuar gjendjen e shoqërisë ku po jetojmë.

23 Maj 2025, Mesazh nga prokurorja amerikane Pam Bondi përmes emisarit të saj Stephen Fields
“Ai (Z.Fields) përcolli prioritetet e Prokurorit të Përgjithshëm të ShBA për të eliminuar kartelet, krimin e organizuar ndërkombëtar dhe emigracionin e paligjshëm”

25 Shtator 2025 takim i VanHorn me kryetaren e KLP, Mirela Bogdani
“Integriteti i procesit për zgjedhjen e Drejtuesit të SPAK është thelbësor për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe për forcimin e sigurisë së vendeve tona”.

26 Shtator, takim i të Ngarkuarës me Punë, Nancy VanHorn me Ministren e Brendshme, Albana Koçiu
“Sot, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn theksoi edhe një herë përkushtimin e qartë të Presidentit Trump në zhdukjen e karteleve dhe grupeve kriminale ndërkombëtare gjatë takimit të saj të parë me Ministren e re të Punëve të Brendshme Albana Koçiun. Duke punuar së bashku, forcat e rendit të Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë mund të çmontojnë rrjetet e paligjshme financiare dhe të mohojnë strehimin e sigurt për trafikantët e drogës dhe terroristët, duke i bërë të dy vendet tona më të sigurta”

17 Nëntor mesazhi pas vizitës së Drejtorit për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming
Pas përfundimit të mbylljes së qeverisë për shkak të fondeve buxhetore, jemi gati të vazhdojmë punën tonë normalisht! Në rast se e keni humbur, patëm kënaqësinë të mirëprisnim muajin e kaluar Drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Mark Fleming, në Shqipëri. Drejtori Fleming u takua me udhëheqës nga i gjithë spektri politik, si dhe me institucione të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit, për të theksuar partneritetin e fortë SHBA–Shqipëri, për të përforcuar gatishmërinë e NATO-s dhe për të goditur organizatat kriminale ndërkombëtare.

28 Nëntor, Urimi i presidentit të SHBA, Donald Trump
“Pres me padurim forcimin e bashkëpunimit tonë mbi prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë stabilitetin rajonal, përballjen me organizatat kriminale ndërkombëtare dhe zgjerimin e mundësive dypalëshe të biznesit dhe tregtisë. Ju uroj juve dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të gëzuar Pavarësie”

28 Nëntor, Urimi i sekretarit të shtetit, Marco Rubio

8 Janar, takim i të Ngarkuarës me Punë, Nancy VanHorn me kreun e SPAK, Klodian Braho

12 Janar, E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn me kryetaren e Gjyaktës Kushtetuese, Fiona Papajorgji
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji dhe diskutoi se si mbështetja afatgjatë e Shteteve të Bashkuara për institucionet e zbatimit të ligjit në Shqipëri çon përpara prioritetet e Presidentit Trump: çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane”

16 Janar, Fjalimi i të Ngarkuarës me Punë Nancy VanHorn në Trajnimin nga FBI për Mbikëqyrjen e Analizës së Celularëve
“Kushdo që ndjek Ambasadën e Shteteve të Bashkuara këtu në Shqipëri e di se lufta e krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve janë përparësi kryesore për ne. Dhe kur Presidenti Trump bëri thirrje për eliminimin e plotë të krimit të organizuar ndërkombëtar, ai nënvizoi se këta kriminelë përdorin sjellje “të ndërlikuara të përshtatjes”, duke krijuar kërcënime të pazakonta dhe në zhvillim për sigurinë tonë kombëtare.
Dhe siç tha Sekretari Rubio, organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të angazhuara në trafikimin e narkotikëve, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, ku këto grupe po destabilizojnë shtet-kombet dhe po i çojnë në emigrim masiv.
Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë.
Rrjetet kriminale, përfshirë grupet shqiptare që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine të përmendura nga Sekretari Rubio, përbëjnë kërcënime të konsiderueshme për sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë përmes aktiviteteve si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. Sikurse e keni parë përmes këtij kursi, këto krime po mundësohen nga teknologjitë moderne”
The post Citimet për kartelet e drogës, si refren diplomatik i SHBA në Shqipëri appeared first on Lapsi.al.
