“Ku ka si Tirona”, ansambli sjell traditat dhe ngjyrat e folklorit me këngë e valle

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Tingujt, traditat dhe ngjyrat e folklorit të Tiranës mbushën skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në koncertin e ndërtuar si mozaik artistik “Ku ka si Tirona”.

Përmes një programi të larmishëm, spektatorët shijuan këngët qytetare, valle tradicionale dhe momente që pasqyrojnë identitetin kulturor të Tiranës ndër vite nga emrat më të njohur të muzikës popullore qytetare.

“Në çelje të sezonit kalendarik fillon me shfaqjen e parë, me “Ku ka si Tirona”. Do të jetë një shfaqje që i dedikohet traditës së kryeqytetit. Ajo që ne na obligon dhe na bën që të tregojmë vëmendje të veçantë. Kjo vëmendje e shtuar ne na obligon si detyrë për të sjellë në publik, shfaqje cilësore që publiku të ndjehet në habitatin e vet”, tha Sokol Marsi, Drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Artistët e AP interpretuan një repertor të zgjedhur ku ishte përfshirë dhe krijimtaria e Muharrem Gurës si dhe emrave që kanë bërë histori. Në shfaqje kishte edhe artistë të ftuar si Irma Libohova, Armaldo Kllogjeri dhe Greta Zani.

“Ku ka si Tirona” që do shfaqet edhe mbrëmjen e të martës, shënon jo vetëm një premierë koncertale, por edhe hapjen e ciklit të ri artistik “Thesaret e Shpirtit”.

Cikël ky që synon të promovojë trashëgiminë kulturore përmes veprave dhe projekteve të ndryshme që do të pasohen gjatë sezonit artistik 2026.

The post “Ku ka si Tirona”, ansambli sjell traditat dhe ngjyrat e folklorit me këngë e valle appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: