Në kohën kur kryeministri Edi Rama demonizonte prokurorët dhe gjykatësit në Tiranë si njerëz të pashpirt të cilët i sulen nënave të sëmura me kancer që shtrëngojnë foshnjën dymuajshe në gji, në Bruksel luhej një muzikë tjetër; inkurajuese për prokurorët e SPAK dhe aspak e këndshme për Ramën, të cilit i kërkohet ta heqë mburojën parlamentare për Belinda Ballukun.
Grupi i eurodeputetëve që sapo janë kthyer nga Tirana i kishin qartësuar idetë në vizitën e tyre. Si rrallëherë, në diskutimet e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian u përmend emri i Belinda Ballukut, si deputetja që fut në ngërç luftën kundër korrupsionit dhe që ka vënë në dyshim negociatat për integrimin drejt Bashkimit Europian.

I ashpër dhe i drejtpërdrejtë në sallë ishte gjermani Michael Gahler. Eurodeputeti foli për struktura të krimit të lidhura me ish-zv.kryeministren që duhet të hetohen nga SPAK. “Ekzistojnë struktura korruptive dhe aktivitete të krimit të organizuar që, sipas të dhënave të paraqitura, shtrihen deri në nivelet më të larta të pushtetit. Mendoj se rasti Balluku është një ilustrim i qartë në këtë drejtim” u shpreh Gahler, që me deklaratën e tij nuk la vend për interpretime.
“Struktura të tilla nuk duhet të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian” e përfundoi eurodeputeti gjerman fjalën e tij, pasi bëri një përmbledhje të shkurtër të situatës në Shqipëri.

Po kaq i prerë, ishte edhe bullgari Andrey Kovatchev, që i kërkoi mazhorancës parlamentare në Shqipëri të mos bëhet mburojë për arrestimin e ish-zv.kryeministres.
“SPAK duhet të jetë i pavarur dhe i lirë nga presionet politike. Hetimet përfshirë ata për zyrtarët e lartë, si për ish-zv.kryeministren duhet të përparojnë pa ndërhyrje. Shteti i të drejtës nuk mund të jetë selektiv. Trajtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit parlamentar pa vonesë është përgjegjësi e parlamentit” u shpreh Kovatchev.
I njëjti mesazh për luftë kundër korrupsionit ka përshkruar pjesën më të madhe të fjalimeve.

Njësoj si përfaqësuesit e PPE ka folur edhe përfaqësuesi i të gjelbërve në Parlamentin Europian, Thomas ëaitz: “Fakti që SPAK të jetë i aftë të arrestojë përfaqësues të lartë të politikës, ish-funksionarë të lartë, tregon se ata kanë mundësi të punojnë dhe kjo është shenjë e mirë që në praktikë, përtej ligjit dhe është e vërtetë edhe ato që thanë parafolësit: Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë dhe është shenjë e mirë që SPAK të ketë mbështetjen të hetojë për rastet potenciale të korrupsionit”
Pra, ajo që socialistët e shohin si përndjekje e prokurorëve të SPAK ndaj punonjësve të pafajshëm të administratës ose si ndërhyrje e pushtetit gjyqësor në atë ekzekutiv, eurodeputetët në Bruksel e përkthejnë si funksionim normal të shtetit të së drejtës.

Kreu i Komitetit të Jashtëm, David McAllister ruajti të njëjtën qasje si eurodeputetët e tjerë. Në deklaratën e tij në nisje të diskutimit, McAllister kërkoi që të avancohet me luftën ndaj korrupsionit, pasi ligjet e miratuara thjesht në letër nuk mjaftojnë.
“Shqipëria duhet të punojë akoma më fort ndërsa vendi hyn në një fazë të re të negociatave. Zgjerimi është një proces i bazuar në merita. Çdo vend vlerësohet i ndarë për progresin në arritjen e kritereve të Kopenhagenit. Thjesht përshtatja e legjislacionit nuk mjafton. Ndryshimi i vërtetë për qytetarët do të shihet kur reformat e përshtatura do të zbatohen plotësisht” u shpreh McAllister, që gjithashtu i kërkoi opozitës të bëhet më bashkëpunuese, duke vazhduar se: “Protestat e dhunshme nuk janë mjete të pranueshme në një shoqëri demokratike”.
Që Brukseli po tregohet i pakënaqur me hezitimin e mazhorancës ër rastin “Balluku”, kjo është e qartë. Deri më tani, kryeministri Rama e ka zvarritur përgjigjen.
Edhe në mbledhjen e sotme të grupit parlametar Rama këmbënguli se reforma në drejtësi nuk ka dështuar, madje e shfrytëzoi situatën për t’i dërguar Brukselit mesazhin se ai ishte i vetmi garant i reformës edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste. “Edhe 100 herë sikur të kishte mundësi, 100 herë do të zgjidhte drejësinë e re para drejtësisë së vjetër” tha Rama që në të njëjtën kohë po bëhet pengesë për drejtësinë.
Vetë Rama nuk është thirrrur asnjëherë në SPAK për t’u marrë në pyetje, ndaj e ka të lehtë të propagandojë suksesin e drejtësisë së re. Belinda Balluku që rrezikon 35 vjet burg nuk ka folur ende, madje mungoi edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS.
Megjithatë Rama është në pikën kur duhet të zgjedhë, ose t’i hapë rrugë prangosjes së Belinda Ballukut, ose të bëhet pengesë për prokurorët e SPAK, duke i dhënë fund një herë e mirë propagandës së reformës në drejtësi, si histori suksesi.
Nëse Rama zgjedh Ballukun, për Brukselin çështja është proceduriale. Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, kur foli për përpjekjet e Shqipërisë për të mbyllur negociatat në vitin 2027 e quajti këtë një objektiv “ambicioz”, megjithatë kushti kryesor mbetet po ai që ka qenë: “Më shumë luftë ndaj korrupsionit në të gjitha fushat, në politikë, në ekonomi dhe në përgjithësi në shoqëri”./Lapsi.al
The post Dosja “Balluku” në tryezën e Brukselit/ Kërkohet heqja e imunitetit për arrestimin appeared first on Lapsi.al.
