Gjyqi “Thaçi 2” në Hagë, prokurori: Udhëzimet e Thaçit kishin në shënjestër dëshmitarë specifikë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Në Gjykatën Speciale sot po mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

Të pesë të akuzuarit në rastin për pengim të drejtësisë janë deklaruar të pafajshëm.

Aktakuza pretendon se për disa muaj gjatë vitit 2023 ata kanë ndikuar në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit, dhe tre ish-eprorëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit

Prokurori Joshua Hafetz në nisje të fjalës së tij shfaqi fragmente të bisedave të incizuara në Hagë, gjatë takimeve të Thaçit me vizitorët e tij, përfshirë disa nga të akuzuarit, ku ai pretendoi se është tentuar të ndikohej te dëshmitarët.

“ZPS do të tregojë se udhëzimet e Thaçit kishin një shënjestër: shënjestër ishin dëshmitarët specifikë, dëshmia e të cilëve, sipas Thaçit përbënte kërcënim”, tha ai duke shtuar se synimi ishte të shmangej ky kërcënim.

Sipas tij, motivi i Thaçit ishte se ai “nëse gjendet fajtor” në rastin për krime lufte, “do të dënohet me burgim të gjatë” dhe prandaj, sipas ZPS-së, ai përdori mënyra për të ndërhyrë në drejtësi.

“Provat do të tregojnë se sapo filloi çështja [për krime lufte] Thaçi u përqendrua në pengim të dëshmive të dëshmitarëve që mund ta dëmtonin mbrojtjen e tij. Thaçi kishte dy lloj dëshmitarësh. Të parët ishin personat e brendshëm të UÇK-së, që në mënyrë të veçantë i identifikoi Thaçi, që mendoi se ishin vendimtar në gjykimin ndaj tij, të cilët duhet të flisnin për strukturën e UÇK-së dhe rolin drejtues të Thaçit. Lloji i dytë ishin dëshmitarët viktima që mund ta implikonin atë”, tha prokurori.

The post Gjyqi “Thaçi 2” në Hagë, prokurori: Udhëzimet e Thaçit kishin në shënjestër dëshmitarë specifikë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: