Është përcjellë për në banesën e fundit parodisti i njohur Mane Lumani, i cili ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare. Homazhet u mbajtën në Teatri Petro Marko, ku kolegët dhe miqtë e tij shprehën ngushëllime për familjen dhe e nderuan si një figurë të rrallë të humorit dhe artit shqiptar.
Lumani që prej dhjetorit ishte i shtruar në spital, pas një sëmundjeje të rëndë, të cilën fatkeqësisht nuk arriti ta përballonte.
Në ceremoninë mortore ishin të pranishëm kolegë dhe personalitete të skenës, të cilët ndanë kujtime për kontributin e tij në art dhe humor.
“Një humbje e madhe për ne, por edhe për gjithë artdashësit. Mana ishte një njeri i thjeshtë që erdhi në gjirin tonë në ’74. Ai ishte shembull për të gjithë ne, jo vetëm si artist, por edhe me karakterin e tij interesant. Sot ndahemi me një dhimbje të madhe nga shoku, vëllai, kolegu. Lamtumirë i dashur”, tha Afrim Agalliu.
“Të flasësh për Manen duhet shumë net dimri. Ai ishte një figurë e madhe që do të na mungojë. Lamtumirë i dashur Mane”, tha Agron Hamo.
“Largimi nga jeta i një prej artisteve simbol, jo vetëm i Vlorës, por i gjithë Shqipërisë, emblema e parodistëve. Ai do të mbetet në historinë e artit shqiptar, një vlerë shumë e madhe për skenën tonë”. tha Bujar Asqeriu.
Mane Lumani mbetet një ndër zërat më autentikë të humorit vlonjat, i njohur për interpretimet origjinale dhe ironike, si dhe për batutat që e bënë pjesë të pandarë të traditës së parodive të qytetit bregdetar.
Për dekada me radhë, ai kontribuoi në skenën artistike me një stil të veçantë komik, duke sjellë gëzim dhe duke krijuar kujtime që ende i qëndrojnë kohës.



The post Arti në zi, përcillet për në banesën e fundit parodisti i Vlorës, Mane Lumani appeared first on Euronews Albania.
