Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka dalë me një reagim në “Facebook” lidhur me deklaratat e ish-shefit të shërbimit sekret serb (BIA), Aleksandar Vulin. Sveçla theksoi se thirrjet e Vulin që Serbia të ndjekë metodat e Izraelit dhe Mossad-it në Kosovë janë të papranueshme dhe kërcënuese.
Ai thekson se kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës dhe kryeministrit të saj, Albin Kurti.
Ministri ndër të tjëra në reagimin e tij të gjatë theksoi se Kosova nuk zbrapset përballë këtyre kërcënimeve dhe se do të vazhdojë rrugën drejt forcimit të Republikës së pavarur dhe sovrane.
Ai shtoi se as Vulin dhe as presidenti serb, Aleksandar Vuçiç nuk mund të frikësojë e as të ndalë Kosovën.
“Deklarata e ish-drejtorit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, e bërë në kontekst të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme, ku ai përmend modelin e Mossad-it dhe shtron pyetjen “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, është e papranueshme dhe thellësisht kërcënuese.
Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur, kërcënime të armatosura dhe operacione të shpallura kundër aktorëve të konsideruar armiq, dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë në Ballkan.
Është e njohur se Aleksandar Vulin ka pasur marrëdhënie të ngushta politike e institucionale me Rusinë, përfshirë struktura të inteligjencës, si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic. Për shkak të aktivitetit të tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vendosur në listën e sanksioneve, duke përmendur ndër të tjera lidhje dhe bashkëpunim me aktorë rusë të inteligjencës.
Historia jonë e afërt dëshmon se strukturat e inteligjencës serbe kanë qenë të përfshira në vrasjen e veprimtarëve të shquar politikë shqiptarë, si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Prandaj, kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe “di ta bëjë këtë”, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm. Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cënim të sovranitetit të vendeve të tjera.
Në këtë kontekst, në javën e dytë të muajit shkurt, dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas rus, pasi fillimisht kishin qëndruar në Serbi, hynë ilegalisht në Kosovë të kamufluar. Ata u ndaluan dhe u arrestuan nga institucionet tona të sigurisë dhe rasti është në trajtim. Përveç përvojës së tyre ushtarake, trajnimeve specialistike me eksploziv dhe lidhjeve me Serbinë, ata posedonin pajisje për orientim, kamuflim dhe realizim të planeve operative – elemente që përkojnë me retorikën e artikuluar nga Vulin.
Kjo deklaratë përbën një precedent të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj, z. Albin Kurti. Përveç lidhjeve të dokumentuara me Rusinë, Vulin njihet gjerësisht si zë artikulues i qëndrimeve të Presidentit Aleksandar Vucic.
Institucionet e Republikës së Kosovës, në nivel të lartë profesionalizmi, po e përmbushin mandatin e tyre kushtetues dhe ligjor. Ato janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, ne si bartës të institucioneve nuk zbrapsemi përballë këtyre kërcënimeve dhe do të vazhdojmë rrugën tonë drejt forcimit të Republikës sonë të pavarur dhe sovrane.
Përpjekjet e Rusisë dhe Serbisë për destabilizimin e rajonit duhet të kenë vëmendjen e plotë të faktorëve relevantë ndërkombëtarë. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, shkruan Sveçla.
The post “Serbia të veprojë si Izraeli”/ Reagon Sveçla për kërcënimet e ish-drejtorit të BIA-s: Deklaratë e papranueshme appeared first on Euronews Albania.
