Gazetari publikon dokumentin: Hierarkia e 32 godinave të Bllokut dhe historia e Vilës së Enver Hoxhës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

I ftuar në “Now me Erla Mëhillin, gazetari Roland Qafoku foli për historinë e vilës së Enver Hoxhës, duke marrë shkas nga incidenti gjatë protestës së opozitës, ku objekti u sulmua me molotov dhe fishekzjarre. Sipas Qafokut, Vila 31 është një nga 32 ndërtesat e bllokut të njohur si blloku i regjimit komunist, një kopje e strukturave të Kremlinit në Moskë, e dedikuar ekskluzivisht Enver Hoxhës.

Qafoku preznatoi një dokument të vilave të Bllokut.

“Ky është inventari i bllokut, me 32 ndërtesa, godina dhe vila. Vila e Enver Hoxhës është vila 31, e sekretarit të parë të Komitetit Qendror. Numri 25 ishte vila e presidentit, numri 27 e ministrit të Financave, ndërsa numri 29 i zëvendës presidentit të Komitetit Qendror. Vila numër 30 i takonte kryeministrit, pra Mehmet Shehut. Vila 31 e sekretarit të parë shërbente gjithashtu për kryesinë e presidiumit. Vila 32 ishte e sekretarit tjetër të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, 33 e zëvendës kryetarit, 34 e presidentit të Komitetit Qendror, 35 e sekretarit, e zëvendës kryetarit dhe kryetarit të tjerë. Pallati i brigadave ishte ndërtesa tjetër, pjesë e nomenklaturës së bllokut dhe ruhej nga Garda. Në këtë kompleks ndodheshin edhe magazinat ushqimore, drejtoria, poliklinika speciale dhe godinat e pritjes në malin e Dajtit”, thuhet në dokument.

Qafoku shpjegoi se blloku i 32 vilave në Tiranë ishte një strukturë e mirëorganizuar që pasqyronte hierarkinë e Partisë së Punës gjatë regjimit komunist ku çdo vilë kishte funksion të veçantë, duke i shërbyer figurave kryesore të pushtetit: sekretarit të parë, kryeministrit, presidentit, zëvendës kryetarëve dhe anëtarëve të tjerë të Komitetit Qendror.

“Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, këtë vilë e mori Enver Hoxha. Trualli fillimisht i përkiste deputetit nga Berati, Hamid Myftiu, i cili ia dha një italiani për 99 vjet qira. Më vonë, në vitet ‘40-‘42, zonja italiane Veleda Luçia Kosta ndërtoi shtëpinë, ngjitur me shtëpinë e Qemal Biçakut. Hoxha, pasi erdhi në Tiranë si kryeministër, zgjodhi këtë vilë, ndërsa ngjitur ishte shtëpia e zëvendës kryeministrit Koçi Xoze. Qafoku shtoi se në vitin 1948, pas arrestimit të Koçi Xozes dhe internimit të familjes së tij, Hoxha mori shtëpinë e ngjitur, duke e bashkuar me të tijën deri në vitin 1973, kur u bë zgjerimi i vilës që shihet sot.

“Në vitin 1948 ndodhi një ngjarje vendimtare: arrestimi i Koçi Xzes, komshiut të Enver Hoxhës dhe zëvendësit të tij. Ai e pa nga dritarja mënyrën se si e tërhiqnin zvarrë dhe internonin, së bashku me familjen e tij. Pas kësaj, Enver Hoxha mori shtëpinë e ngjitur, duke e bashkuar me të tijën, dhe kështu u formuan dy shtëpi të bashkuara deri në vitin 1973”, tha ai.

Gazetari theksoi edhe funksionin politik të vilës: “Këtu nuk bëheshin thjesht mbledhje familjare, por edhe mbledhje të Byrosë Politike. Vendime të rëndësishme për vendin merreshin këtu”, tha ai.

The post Gazetari publikon dokumentin: Hierarkia e 32 godinave të Bllokut dhe historia e Vilës së Enver Hoxhës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: