Albulena Haxhiu mbështet nismën për zgjedhjen e presidentit nga populli

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar amendamentet kushtetuese nga presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që presidenti/presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.

“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, ka shkruar ajo në Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta për president të Republikës.

“ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT! Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011”, ka shkruar Osmani.

Këto amendamente janë nga viti 2011. Një gjë e tillë po ndodh në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Nëse presidenti nuk arrin të zgjidhet brenda afateve kushtetuese, ndonëse vendi mezi arriti të formojë institucionin legjislativ dhe atë ekzekutiv, rrezikon të rrëshqasë drejt një krize të re politike.

Vjosa Osmanit i skadon mandati i presidentes më 05.04.2026. Ajo ishte zgjedhur presidentja e gjashtë me radhë që nga paslufta, më 04.04.2021.

Në votim kanë marrë pjesë 82 deputetë. Me 71 vota për, në rundin e tretë të votimit, Osmani mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesëvjeçar. 11 vota ishin të pavlefshme.

The post Albulena Haxhiu mbështet nismën për zgjedhjen e presidentit nga populli appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: