Me shiritin e kapitenit në krah, Federico Valverde u shndërrua në protagonist absolut për Real Madridin, duke i dhënë madrilenëve një fitore të pastër 3-0 përballë Manchester Cityt. Mesfushori uruguaian realizoi një tripletë në pjesën e parë, duke vulosur praktikisht fatin e sfidës që në 45 minutat e para.
Goli i parë erdhi në minutën e 20-të, pas një asistimi të portierit Courtois. Vetëm shtatë minuta më vonë, Vinicius Junior shërbeu për Valverden, i cili nuk gaboi përballë portës. Në fundin e pjesës së parë ishte Diaz që dhuroi një pasim të shkëlqyer për uruguaianin, që kompletoi tripletën me një finalizim të bukur ndaj Donnarummas.
Në pjesën e dytë, Real Madridi pati mundësinë të thellonte rezultatin nga pika e bardhë, por Vinicius u ndal nga Donnarumma. Ndërkohë, gjatë 82 minutave në fushë, Erling Haaland mbeti larg formës së tij më të mirë, duke qenë pothuajse i padukshëm në lojë.
Në Gjermani, Arsenali arriti të marrë një barazim të vlefshëm 1-1 ndaj Bayer Leverkusen në minutat e fundit. Pjesa e parë u mbyll pa gola, pavarësisht rasteve nga të dyja skuadrat.
Fraksioni i dytë nisi me golin e vendasve, të cilët kaluan në avantazh me Andrich pas një goditjeje këndi. Kur gjithçka dukej e mbyllur, Madueke u pengua në zonë dhe fitoi një penallti të diskutueshme për londinezët. Nga pika e bardhë, Havertz u tregua i saktë duke barazuar shifrat në 1-1.
Spektakël golash pati në Paris, ku PSG triumfoi 5-2 ndaj Chelseat në “Parkun e Princave”. Barcola kaloi francezët në avantazh, ndërsa Gusto barazoi përkohësisht për londinezët. PSG reagoi menjëherë me Dembele për rezultatin 2-1 në fundin e pjesës së parë.
Në nisje të pjesës së dytë, Enzo Fernandez riktheu ekuilibrin për Chelsean, por më pas ishte vetëm PSG në fushë. Vitinha shënoi një gol, ndërsa Kvaratskhelia realizoi dy herë për të vulosur fitoren e thellë 5-2.
Ndërkohë në Norvegji, Bodo/Glimt konfirmoi se nuk është më një surprizë e këtij kompeticioni. Pas eliminimit të Interit në fazën e kaluar, skuadra nordike mposhti 3-0 Sportingun e Lisbonës me golat e Fet, Blomberg dhe Hogh.
Champions League – Faza e 1/8-ave
E mërkurë, 11 mars 2026
18:45
Leverkusen 1-1 Arsenal
21:00
Bodo/Glimt 3-0 Sporting Lisbonë
PSG 5-2 Chelsea
Real Madrid 3-0 Manchester City
E martë, 10 mars 2026
18:45
Galatasaray 1-0 Liverpool
21:00
Atalanta 1-6 Bayern Munich
Atletico Madrid 5-2 Tottenham
Newcastle 1-1 Barcelona
The post Champions League / Valverde “superhero”, Reali rrëzon Cityn – PSG spektakël ndaj Chelseat appeared first on Euronews Albania.
