Italianët do të votojnë të dielën dhe të hënën mbi reformën kushtetuese, që do të ndajë gjyqësorin e vendit në karriera të veçanta për gjykatësit dhe prokurorët dhe do të krijojë një organ të ri disiplinor.
Aktualisht Italia ka një gjyqësor të unifikuar ku gjyqtarët dhe prokurorët i përkasin të njëjtës strukturë. Ata i nënshtrohen të njëjtit provim pranimi dhe mund t’i ndërrojnë rolet gjatë karrierës së tyre.
Ndërkohë, reforma do të caktojë shtigje të ndryshme karrierash dhe do të kërkojë që përzgjedhja e profesioneve të bëhet që në fillim. Gjithashtu, ajo nuk do të lejojë më shkëmbimin e roleve.
Edhe Këshilli i Lartë i Magjistraturës, që aktualisht qeveris gjyqtarët dhe prokurorët, do të ndahet në dy organe të veçanta; njëri për gjyqtarët dhe tjetri për prokurorët. Të dy do të qeverisen nga presidenti i Italisë.
Çdo këshill do të përbehet një e treta nga funksionarë laikë dhe dy të tretat nga magjistratët. Gjithashtu, anëtarët do të zgjidhen me lotari dhe jo me proces zgjedhor.
Dy këshillat do të zhvishen nga funksionet disiplinore, të cilat do t’i jepen Gjykatës së re Disiplinore, e përbërë nga 15 anëtarë, prokurorë e gjyqtarë, të zgjedhur me short.
Por ndërsa reforma po lobohet fuqishëm nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, zërat kundër saj janë të shumtë. Simboli i drejtësisë, kryeprokurori i Napolit Nicola Gratteri ka deklaruar se ndryshimet që do të vijnë nuk do t’i përshpejtojnë vendimet gjyqësore dhe as do t’i bëjnë ato më efikase. “Kjo nuk është ajo që kërkojnë njerëzit. Kjo është një reformë e imponuar pa diskutim parlamentar. Të modifikosh 7 nene pa asnjë diskutim serioz në Parlament është një diktat”, ka thënë Gratteri.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Salvatore Borsellino, vëllai i prokurorit Paolo Borsellino, i vrarë nga mafia më 19 korrik të 92-shit. “Mafiozët do të votojnë pro. Reforma në vetvete është një puç, një atentat ndaj Kushtetutës”, ka thënë Borsellino.
Edhe numri dy i Antimafias, prokurori Nino di Matteo, që ka në dorë çështje të nxehta të lidhura me organizatat kriminale, është shprehur kundër, duke thënë se vetëm mafiozët dhe njerëzit me pushtet do të votojnë pro kësaj reforme.
“Mafia ka nevojë që në sytë e popullit, magjistratura të duket e delegjitimuar. Ndaj, kush ka propozuar reformën synon denigrimin e magjistraturës”, ka thënë Di Matteo.
Reforma në fjalë u miratua në Parlament në tetor të vitit të kaluar, por dështoi të siguronte shumicën prej dy të tretat për të shmangur votën popullore, duke u kthyer në një test për qeverinë e kryeministres Meloni.
The post Italia referendum për gjyqësorin, prokurorët kundër: Pro do votojë vetëm mafia appeared first on Euronews Albania.
