Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti këtë të martë në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Matthew Whitaker.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti e falenderoi ambasadorin Whitaker për mbështetjen jetike, të vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës.
Teksa shprehu mirënjohje, Kurti foli për bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me SHBA-në, përfshirë trajnimet dhe edukimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Ai theksoi se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e angazhuar për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë.
Kurti vlerësoi gjithashtu se prania e NATO-s në Republikën e Kosovës, dhe veçmas ajo e Shteteve të Bashkuara, mbetet e rëndësishme për paqen dhe sigurinë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Ai theksoi se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte kontribut i rëndësishëm dhe do të shërbente si garantues afatgjatë për paqen dhe sigurinë në Ballkan.
Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, kryeministri tha se ajo mbetet e brishtë për shkak se Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, vazhdon të ndjekë politikë hegjemoniste rajonale. Ai foli edhe për armatosjen e fqinjit verior, me theks blerjet e fundit nga Rusia dhe Kina, si kërcënime për stabilitetin afatgjatë rajonal dhe fqinjësinë e mirë në Ballkan. Në këtë kontekst, kryeministri përmendi bazat e përparme operacionale të Serbisë përreth kufirit me Republikën e Kosovës.
The post Kurti pret në takim ambasadorin e SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker appeared first on Euronews Albania.
