Athina vendos kufizime në turizëm: Qyteti nuk është një hotel gjigant

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryebashkiaku i Athinës, Harris Doukas, ka njoftuar masa më të ashpra kundër turizmit të tepërt në qytet, duke paralajmëruar se qendra historike e qytetit po arrin pikën e “mbingopjes” dhe se është e nevojshme të mbrohet cilësia e jetës së banorëve vendas.

Më shumë se tetë milionë turistë vizituan Athinën vitin e kaluar, ndërsa numri i qëndrimeve me netë në shtëpi me qira afatshkurtra në lagjen poshtë Akropolit, është më shumë se dyfishuar që nga viti 2018, tha ai në një intervistë me The Guardian.

Dukas paralajmëroi se një rritje e tillë çon në një rritje të çmimeve të pasurive të paluajtshme, zhvendosje të banorëve vendas dhe presion mbi infrastrukturën.

“Athina nuk mund të funksionojë si një hotel gjigant. Nevojiten rregulla dhe kufizime të qarta”, tha ai, duke theksuar se qyteti duhet të ketë kontroll mbi zhvillimin e vet.

Autoritetet e kryeqytetit grek po planifikojnë të ndalojnë investimet e reja turistike në pjesët më të ngarkuara, veçanërisht në pjesën historike.

Po merret në konsideratë edhe ngrirja e lëshimit të lejeve për hotele të reja, ndërsa investitorët do të drejtohen në pjesë më pak të ngarkuara të kryeqytetit.

Këto iniciativa vijnë në një kohë kur Athina po përballet me sfida të mëdha infrastrukturore – nga përmirësimi i sistemeve të ujit dhe energjisë deri te zgjerimi i rrjetit 5G – për të përballuar presionin e krijuar nga kombinimi i rreth 700,000 banorëve dhe miliona vizitorëve në vit.

Mbështetje për masa më kufizuese erdhi edhe nga sektori i turizmit.

Përfaqësuesit e hotelierëve tregojnë shembuj të qyteteve të tjera evropiane, si Barcelona, ​​të cilat tashmë kanë futur kufizime për të kontrolluar rritjen e turizmit dhe për të mbrojtur komunitetet lokale.

Dukas theksoi se strehimi i përballueshëm është bërë një çështje kyçe, prandaj qyteti po zhvillon programe strehimi social dhe po planifikon të krijojë më shumë hapësira publike.

“Athina ekziston për qytetarët e saj, jo vetëm për ata që duan ta përdorin atë”, tha kryebashkiaku.

The post Athina vendos kufizime në turizëm: Qyteti nuk është një hotel gjigant appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: