Në Ditën e “Personave të Zhdukur me Dhunë” gjatë luftës, në Prishtinë u përurua një murale kushtuar sakrificës së nënë Ferdonije Qerkezi nga Gjakova. Vepra simbolizon dhimbjen e familjeve që ende presin të afërmit e tyre dhe synon të ruajë kujtesën kolektive për mbi 1500 persona të zhdukur.
Pamja e saj duke pritur të dashurit e saj, që nuk u kthyen kurrë të gjallë, do të jetë pjesë e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në lagjen Ulpiana të kryeqytetit.
Përfaqësues institucionalë dhe aktivistë theksuan rëndësinë e kujtesës dhe drejtësisë për këtë plagë të hapur.
“Sot nuk jemi këtu për të zbuluar një mural, jemi këtu për të kujtuar dhe riafirmuar se pse kujtesa kolektive ka rëndësi në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, paqësore dhe të përgjegjshme. Në Ditën e Personave të Zhdukur në Kosovë ndalemi për të reflektuar për mbi 1500 persona që vazhdojnë të mungojnë dhe familjet e tyre që prej dy dekadave jetojnë pa siguri dhe pa përgjigje. Zhdukja më dhunë nuk është vetëm një tragjedi njerëzore, është një krim i rëndë sipas të drejtës ndërkombëtare”, thotë Marigona Shabiu, aktiviste për të drejtat e njeriut në Kosovë.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur tha se përmes këtij murali ndërtojnë një kujtesë që duhet t’u përcillet brezave.
“Sot përmes këtij murali gjithsesi nderojmë mijëra familje dhe kujtojmë të gjithë ata që na mungojnë. Në të njëjtën kohë, përmes këtij murali ne ndërtojmë një kujtesë që duhet t’u përcillet brezave dhe historia të mos përsëritet”, thotë Kushtrim Gara.
Nëna Ferdonije pati vetëm falënderime për të gjithë ata që e kanë përkrahur ndër vite.
“Faleminderit për vizitat që m’i keni bërë edhe populli që po më përkrah. Faleminderit edhe për muralin që ma keni bërë dhe familjen që s’po ma harroni”, thotë Ferdonije Qerkezi.
Autorja e muralit, Ermira Murati, potencoi se kjo vepër është bërë në akt nderimi për këtë dhimbje të shoqërisë.
“Kjo vepër është pikturuar në nder të 27 Prillit, Ditës së të Pagjeturve, si një kujtesë dhe një akt nderimi për një dhimbje aq të madhe për shoqërinë tonë. Përmes figurës së nënës Ferdonije, kjo vepër nuk i kushtohet vetëm kësaj gruaje aq të fortë, por të gjithë familjeve që vazhdojnë të jetojnë me dhimbje dhe mungesë”, thotë Ermira Murati, autore e muralit.
Në Kosovë këtë të hënë ka pasur edhe aktivitete të tjera të shumta për nder të Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës.

The post Përurohet në Prishtinë muralja kushtuar “Personave të Zhdukur me Dhunë” gjatë luftës appeared first on Euronews Albania.
