Java e 33-të e Superligës u mbyll mbrëmjen e së hënës ku Elbasani i mori kreun Vllaznisë pas triumfit 3-1 në “Elbasan Arena” dhe tashmë e ka vetë në dorë fatin e titullit kampion. Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Flamurtari ndaj Dinamos, duke mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.
Skuadra e Gvozdenoviç dominoi sfidën në një “Elbasan Arena” të mbushur plot me tifozë dhe tashmë udhëheq Superligën me dy pikë më shumë se rivalët e Vllaznisë.
Protagonist ishte Xhonatan Lajthia me dy gola dhe Tsague ndërsa me këtë fitore, Elbasani ngjitet në kuotën e 62 pikëve, dy më shumë se kuqeblutë.
Fitore arriti edhe Flamurtari duke marrë tre pikë mjaft të vlefshme falë tre golave të Erald Maksutit. Me këtë sukses, Flamurtari mban gjallë shpresat e mbijetesës në javët e fundit të sezonit, edhe pse vijon të mbetet në vendin e fundit me 32 pikë, tre më pak se Bylis, Vora dhe Tirana.
Ndërkaq, Dinamo nuk përfitoi nga humbja e Partizanit për t’u shkëputur në vendin e katërt, që të dërgon në “Final Four”, ndërsa humbja e saj i siguron vendin e tretë Egnatias.
Në sfidat e tjera, Tirana fitoi derbin e kryeqytetit ndaj Partizanit me përmbysje 2-1. Rezultate pozitive siguruan edhe Bylisi dhe Vora. Ballshiotët mposhtën Teutën 2-0 në shtëpi, ndërsa Vora fitoi me të njëjtin rezultat në transfertë ndaj Egnatias.
Tre javë nga përfundimi i kampionatit të rregullt, gara mbetet plotësisht e hapur, si për kreun ashtu edhe për zonën e mbijetesës. Tirana, Bylis dhe Vora ndajnë të njëjtën kuotë me 35 pikë, ndërsa Teuta ka 38 pikë, duke e bërë çdo ndeshje të mbetur vendimtare për fatet e sezonit.
Egnatia është skuadra e tretë që siguron matematikisht pjesëmarrjen në “Final Four” të kampionatit “Abissnet Superiore”, kur kanë mbetur edhe tre javë nga përfundimi i kampionatit të rregullt.
Pavarësisht humbjes në ndeshjen e fundit ndaj Vorës, Egnatia ndodhet 9 pikë para Dinamo City dhe Partizanit, duke ruajtur një avantazh të sigurt në renditje.
Me tre ndeshje nga fundi dhe duke qenë se në javën e fundit Partizani dhe Dinamo City do të përballen mes tyre, Egnatia e ka siguruar matematikisht një vend në “Final Four”.
Me këtë arritje, Egnatia bëhet skuadra e tretë që siguron pjesëmarrjen në fazën përmbyllëse të kampionatit, ku do të vendoset gjithçka sa i përket titullit kampion për sezonin 2025–2026.


The post Elbasani merr kreun e Superligës pas fitores 3-1 ndaj Vllaznisë appeared first on Euronews Albania.
