Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë kontribuar në gati gjysmën e rritjes ekonomike në vitin 2023, sipas të dhënave të INSTAT. Segmenti është nxitur nga shtimi i projekteve rezidenciale, blerjet e të huajve, vazhdimi i punimeve për rindërtimin pas tërmetit dhe investimet publike, kryesisht në ndërtimin e rrugëve.
Një tjetër faktor që po ndikon është turizmi, si me ndërtimin e hoteleve, komplekseve për banim, ashtu dhe me blerjen e pasurive të paluajtshme, kryesisht nga të huaj.
Madje, rritja e sektorit rezidencial në vitin 2023 është kryesisht e nxitur nga projektet e lidhura me turizmin, ndërsa tregu i pasurive të paluajtshme në kryeqytet po shfaq shenja maturimi, me pjesën më të madhe të shoqërive që kanë raportuar rënie të të ardhurave.
Burimi: INSTAT
Prodhimi i Brendshëm Bruto në sektorin e ndërtimit, në vitin 2023, ishte rreth 235 miliardë lekë (2.3 miliardë euro). Që prej 2014-s, sektori i është rikthyer ciklit të zgjerimit, dhe në vitin 2023 arriti në nivelin më të lartë të paktën që nga 2008-a, kur janë dhe të dhënat më të hershme të publikuara nga INSTAT.
Në të njëjtën linjë ishin dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme, që kanë njohur rritje të shpejtë që nga 2020-a. Në vitin 2023, ky sektor qarkulloi 136 miliardë lekë (1.3 miliardë euro).
Burimi: INSTAT
Pesha e ndërtimit ndaj PBB-së në total arriti në 10.2%, duke u rritur me 0.5 pikë përqindje nga viti i kaluar. Ky është niveli më i lartë nga viti 2013.
Ndërsa pesha e aktiviteteve të pasurive të paluajtshme në Prodhimin e Brendshëm Bruto arriti në gati 6%, niveli më i lartë që nga viti 2014.
Burimi: INSTAT
Si ndërtimi, ashtu dhe pasuritë e paluajtshme u zgjeruan me shpejtësi në 2023-shin, për të dytin vit radhazi. Ndërtimi e mbylli vitin 2023 me rritje prej 9.8%, në ngadalësim të lehtë nga viti i mëparshëm, kur zgjerimi arriti në 10.7%.
Ecuri më të mirë kishte aktiviteti i pasurive të paluajtshme, që u përmirësua me 11.3%, nga 11.2% vitin e mëparshëm, ritmet më të larta në të paktën një dekadë. Kontributin më të lartë të dy sektorët e kishin në tremujorin e dytë, kur ndikuan në gati 70% të rritjes së ekonomisë.
Në linjë me ecurinë e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme, kompanitë e përqendruara në këtë segment dhe në aktivitetet mbështetëse kanë shënuar një vit pozitiv, me rritje të shpejtë, të ndikuara si nga projektet e shpenzimeve kapitale me fonde buxhetore ashtu dhe nga ai i projekteve rezidenciale, kryesisht në turizëm.
Numri i kompanive të ndërtimit dhe atyre të industrisë mbështetëse në listën e “Monitor 200” për vitin 2023, ishte 43, nga 40 vitin e mëparshëm. Këto kompani qarkulluan gati 200 miliardë lekë (2 miliardë euro) në vitin 2023, me rritje prej 3.3% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Zgjerimi ka ardhur kryesisht nga shoqëritë e përfshira në punime civile e industriale me fonde buxhetore, ndërsa për kompanitë e fokusuara në projektet rezidenciale, kryesisht në kryeqytet, viti 2023 nuk ka qenë aq i mbarë.
Burimi: INSTAT
Subjektet e ndërtimit kanë luhatje të mëdha të aktivitetit, në varësi të projekteve inxhinierike ku janë të përfshira, apo të ciklit të shitjes së apartamenteve.
“Gjoka Konstruksion”, që vepron dhe si nënkontraktor i “Gjoka 87” në koncesionin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit ishte më e madhja në segmentin e ndërtimeve civile, industriale e rezidenciale në vitin 2023. Kompania raportoi të ardhura prej 10.8 miliardë lekësh, me rritje 35%.
Sipas raportit të aktivitetit, për vitin 2023 dhe në vazhdim, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka punuar për zbatimin e kontratës për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit, gjithashtu edhe me projekte të tjera:
Ndërtimi i tunelit të Llogorasë në seksionin rrugor Orikum-Himarë; ndërtimi dhe rehabilitimi i rrjetit të ujësjellësit në Bulqizë; hartimi i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e Godinës (seksioni B) në zonën zhvillimore në Kombinat; ndërtimi i Unazës së Jashtme në Tiranë, Loti 6; sistemimi dhe asfaltimi Ura e Çerenecit, Peshkopi, Loti 3; etj.
“Shijaku” ishte edhe në vitin 2023, një ndër sipërmarrjet më të mëdha të ndërtimeve në vend. Të ardhurat e saj ishin rreth 10 miliardë lekë, sipas të dhënave paraprake. Kompania është zgjeruar vitet e fundit në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe HEC-eve.
“Gener 2”, me aktivitet në ndërtimet inxhinierike, rezidenciale dhe menaxhimin e qendrave tregtare, ka pasur aktivitet pozitiv në vitin 2023, duke u renditur sipërmarrja e tretë më e madhe e ndërtimit në vend.
Të ardhurat u rritën me 8.2%, në 9.4 miliardë lekë. Kompania është zgjeruar ndjeshëm në ndërtimet rezidenciale vitet e fundit, nëpërmjet ngritjes së disa komplekseve pranë zonës së Liqenit Artificial në kryeqytet.
Sipas raportit vjetor, rreth 73% e të ardhurave ka ardhur nga aktiviteti i ndërtimit dhe shitja e objekteve të banimit, ndërsa pjesa tjetër, nga qiratë e shërbimet në qendrat e biznesit dhe shitja e mallrave në qendrën tregtare “Coin”.
“Shoqëri e Thjeshtë INTEKAR – ASL” është për të dytin vit radhazi në listën e më të mëdhenjve të ndërtimit, me të ardhura prej 7.3 miliardë lekësh, me rritje 38% me bazë vjetore. Kompania ka fituar tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.
“Salillari” raportoi një qarkullim vjetor prej 6.9 miliardë lekësh, me rënie 11.8%. Aktiviteti kryesor i shoqërisë është i orientuar drejt ndërtimit të veprave të infrastrukturës rrugore, të fituara nga prokurime publike apo nga operatorë të tjerë të tregut, si dhe në prodhimin e materialeve të ndërtimit dhe kryerjen e shërbimeve të tjera si aktivitete dytësore.
“Shoqëria në vazhdimësi ka kryer investime të rëndësishme për ndërtimin e disa fabrikave të prodhimit të betonit, inerteve, asfalteve, si dhe në objekte të tjera prodhimi, ndërtesa, mjete transporti, makineri teknologjike etj. Klientët tanë potencialë janë operatorët shtetërorë, por edhe operatorë të tjerë të tregut, biznese dhe individë”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“Gjikuria” raportoi të ardhura 4.7 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 21%. Sipas raportit të aktivitetit, gjatë vitit 2023 e në vazhdim shoqëria ka realizuar projekte të ndryshme të financuara nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe ka shumë projekte të tjera në vazhdimësi.
“Alb-Star” deklaroi një qarkullim vjetor prej gati 4.5 miliardë lekësh, me rënie 30%. Nga dhjetori i vitit 2016, “Alb-Star” është pjesë e grupit holding “Finman”. Sipas raportit, aktiviteti kryesor i shoqërisë është në fushën e ndërtimit, import-eksport i produkteve industriale, shitja me shumicë e ujit të pijshëm dhe industrial dhe shërbimet e transportit.
“Fusha sh.p.k.” raportoi të ardhura prej gati 3.7 miliardë lekësh, me rritje 14.3% në raport me vitin e mëparshëm.
“G.P.G COMPANY”, që merret kryesisht me punë të lidhura me fonde publike, në ndërtimin e rrugëve në të gjithë territorin e Shqipërisë, ra me 10% në 3.7 miliardë lekë. Sipas raportit të aktivitetit gjatë vitit 2023 ka pasur një performancë më të ulët krahasuar me vitin 2022, në drejtim të realizimit të të ardhurave dhe ulje për fitimin neto.
“Alb Building” deklaroi të ardhura 3.4 miliardë lekë, me zgjerim prej 20%. Kompania është përfshirë në disa projekte si segmenti rrugor Qukës – Qafë-Plloçë, si dhe projekte të tjera për ndërtime urash, rehabilitime të rrugëve, mbrojtje nga rrëshqitjet etj.
“INC S.P.A.” është në listë për të dytin vit radhazi. Kompania italiane është e angazhuar në ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës. Të ardhurat e saj u rritën me 34%, në 3.3 miliardë lekë.
“Geci” ka deklaruar 2.4 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rënie 5% por një pjesë të aktivitetit e ka të lidhur me hotelerinë. Sipas raportit të aktivitetit, hoteleria ka sjellë 27% të të ardhurave.
Për të katërtin vit radhazi, në listën e më të mëdhave është “Alesio-2014”, me aktivitet në ndërtimin dhe tregtimin e betonit, që vijon të performojë ndonëse aktiviteti i saj është sekuestruar në gusht 2022 nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Kompania, e cila furnizonte me beton shoqëritë e ndërtimit, kishte qarkullim vjetor të qëndrueshëm prej 2.6 miliardë lekësh.
Kompania “A.N.K”, e cila ka fituar koncesionin për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, me një kontratë prej 256 milionë eurosh për 17 kilometra rrugë, e shumëdebatuar për vlerën e kripur, që ende nuk ka filluar, shënoi rënie të ndjeshme të të ardhurave me 34%, duke zbritur në 1.3 miliardë lekë dhe duke dalë nga lista e 200 më të mëdhenjve.
Sektori rezidencial, ngec Tirana, shumë kompani raportojnë rënie të xhiros
Vitet e fundit, sektori i ndërtimeve rezidenciale njohu rritje të vazhdueshme, i nxitur nga shtimi i ndjeshëm i lejeve të ndërtimit, kanalizimi i parave informale në blerjen e pasurive të paluajtshme, si dhe blerjet nga të huajt, sidomos në zonat turistike. Shtrenjtimi i vazhdueshëm i çmimeve të apartamenteve është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e qarkullimit vjetor të këtij segmenti.
Në vitin 2023, vlera e transaksioneve ekonomike në aktivitetin e pasurive të paluajtshme (Prodhimi i Brendshëm Bruto me çmime korrente) arriti një rekord prej gati 136 miliardë lekësh, ose rreth 1.3 miliardë euro.
Që prej vitit 2019, sektori po njeh rritje të fortë, që u përshpejtua sidomos në vitin 2022 dhe vijoi zgjerimin dhe në 2023, duke u bërë një ndër udhëheqësit kryesorë të rritjes ekonomike.
Shtimi i blerjeve të pasurive të paluajtshme nga të huajt është një faktor tjetër që po e nxit sektorin. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në vitin 2023, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 325 milionë eurove, në rritje me 12% me bazë vjetore, pas zgjerimit me 52% vitin e mëparshëm.
Pasuritë e paluajtshme sollën më shumë se 22% të vlerës së përgjithshme të Investimeve të Huaja Direkte për vitin e kaluar, nga 3-5% që ishte kjo peshë një dekadë më parë. Të huajt po tërhiqen veçanërisht nga pasuritë e paluajtshme në bregdet, ku çmimet janë ende më të lira sesa në vendet e tjera të rajonit (Mal i Zi, apo Kroaci).
Burimi: Banka e Shqipërisë
Interesi i lartë i të huajve për Shqipërinë po nxit dhe zgjerimin e investimeve dhe shitjeve në hoteleri e turizëm, që nga viti 2018. Investitorët janë kryesisht të interesuar në projektet e vilave, të cilat kanë një kthim shumë më të lartë dhe të shpejtë sesa hoteleria.
Pavarësisht rritjes së aktivitetit të shitjeve të pasurive të paluajtshme, pjesa më e madhe e kompanive të përfshira në ndërtimet rezidenciale në listën e “Monitor 200” kanë raportuar rënie të të ardhurave.
Teksa shumica e tyre janë përqendruar në kryeqytet, kjo tendencë tregon për një maturim të tregut të pasurive të paluajtshme në Tiranë. Në të kundërt, shoqëritë që janë të përqendruara në projektet turistike, po vijojnë rritjen.
Burimi: INSTAT
“Green Coast”, pjesë e grupit BALFIN që po ndërton kompleksin turistik të vilave me të njëjtin emër në Jug, ishte shoqëria më e madhe për ndërtimet rezidenciale në vend, me të ardhura prej 7.1 miliardë lekësh, me zgjerim vjetor prej 26%. Shoqëria zhvillon projekte elitare në zonën e Jugut, me ndërtimin e fshatrave turistikë dhe hotelerisë. Kompania është investitore dhe ndërtimin e kryen përmes nënkontraktorëve.
Sipas raportit të aktivitetit, projektet kryesore janë “Green Coast Resort Village”, që do të shtrihet në afro 500,000 m² tokë me më shumë se 290,000 m² ndërtim, me vila banimi, njësi biznesi, supermarkete, qendra, me mbi 16,000 m² ndërtim, në një truall prej mbi 8,000 m². “Për projektin e saj të parë ‘Green Coast Resort’, në total, shoqëria deri më 31 dhjetor 2023 ka njohur shitjen e rreth 97.5% të të gjitha njësive totale.
Ky vit paraqet një rezultat më se pozitiv të shoqërisë, rezultat i cili ndikohet kryesisht nga njohja e të ardhurave, nga marrëdhënie bashkinvestimi me bashkëzhvilluesit e tjerë të projektit të ‘Green Coast Village’. Shoqëria, duke qenë në rolin e investitorit, ndërtimin dhe projektimin e merr të nënkontraktuar”, thuhet në raportin vjetor.
“BALFIN Construction” (ish-Mane TCI), edhe kjo pjesë e grupit BALFIN, e fokusuar në ndërtim, raportoi të ardhura prej rreth 5 miliardë lekësh, me rritje 3.7% me bazë vjetore. Shoqëria po zhvillon disa projekte paralelisht si ndërtimi i “Urban City”, resorti i “Green Coast”, etj.
Sipas raportit të aktivitetit, “‘BALFIN Construction’ (ish-Mane TCI) ka ndërtuar projekte të tilla si ‘Qendra Tregtare Univers’ (QTU), ‘Tirana East Gate’ (TEG), rezidencat luksoze të ‘Rolling Hills’, ‘Resorti Green Coast’ dhe Rezidencat etj.”
“Agi Kons” kaloi në ndërtuesin e dytë më të madh rezidencial në vend, ndonëse kishte aktivitet me rënie. Kompania raportoi të ardhura prej 3.4 miliardë lekësh, me tkurrje vjetore 23%. Pjesa më e madhe e të ardhurave të shoqërisë vijnë nga punimet e ndërtimit për të tretë, sipas bilancit, të cilat kanë shënuar dhe tkurrjen më të fortë të të ardhurave.
“Kontakt sh.p.k.” deklaroi një qarkullim vjetor prej 3 miliardë lekësh, me rënie prej 13% në raport me vitin e kaluar. (Të ardhurat nga shitjet ishin rreth 1.8 miliardë lekë dhe 1.15 miliardë lekë nga ndryshimi në inventarin e mallrave dhe prodhimit në proces).
Kompania deklaron se, për herë të parë, po ndërton jashtë Tiranës, konkretisht në Tushemisht, me një sipërfaqe 40,000 m², një kompleks pallatesh 3 dhe 4 kate buzë liqenit. Në vitin 2024, shoqëria pret që të shtojë sipërfaqen e ndërtimit, pasi parashikon 6 projekte të reja, me sipërfaqe totale ndërtimi prej 190 mijë m², sipas deklarimeve në raportin e aktivitetit.
“Arlis Ndërtim” u bë në vitin 2022 ndërtuesi më i madh rezidencial në vend, duke raportuar të ardhura prej 5.5 miliardë lekësh, me rritje 75%. Por, në 2023, qarkullimi i saj vjetor ka rënë ndjeshëm, me 60% në 2.2 miliardë lekë. Gjithsesi, kompania po zhvillon projekte të shumta në Bashkinë e Tiranës, sipas faqes së saj të internetit.
“Park Construction Albania” ka vijuar rritjen për të dytin vit radhazi, me të ardhurat që arritën në 2.8 miliardë lekë, me zgjerim prej 24%.
Por, kompania raporton se ka pasur disa vështirësi, kryesisht inflacioni (si kudo në rajon), por edhe tkurrje në aktivitetin industrial dhe të ndërtimit në tremujorin e dytë të vitit 2023, pas efektit që dhanë çmimet më të larta të importit të materialeve të prodhimit dhe ndërprerjet globale të zinxhirit të furnizimit.
Për vitin 2024, shoqëria ka planifikuar të përfundojë një proces privatizimi të një trualli me sipërfaqe rreth 28 mijë m², si dhe të fillojë ndërtimin e një objekti të ri.
“Kastrati Construction” vijoi rritjen e aktivitetit me 11.3%, në 2.7 miliardë lekë. Një ndër projektet më të mëdha të shoqërisë është investimi dhe ndërtimi në një godinë shumëfunksionale “Down Town One”, me 37 kate mbi tokë dhe 5 kate nën tokë, në bulevardin “Zhan Dárk”.
“NOVA Construction 2012” është një nga subjektet ndërtuese rezidenciale me rritjen më të fortë. Të ardhurat e saj arritën në 3 miliardë lekë, me zgjerim vjetor prej 10.4%.
Vitin e fundit, kjo shoqëri është përfshirë në disa projekte të mëdha rezidenciale në vend dhe pritet të fillojë ndërtimin e “Malit të Tiranës”, kullës pas Teatrit të Operës dhe Baletit në kryeqytet.
“O R I O N”, me aktivitet në ndërtime civile e turistike, raportoi të ardhura prej rreth 3 miliardë lekësh, sipas të dhënave paraprake nga Tatimet. Sipas burimeve zyrtare, kompania është e përfshirë në një sërë projektesh rezidenciale e komplekse banimi e vila, por së fundi po diversifikohet dhe në turizëm.
“S&D Invest” është një hyrje e re te të mëdhenjtë rezidencialë. Shoqëria raportoi të ardhura prej 2.5 miliardë lekësh në vitin 2023, me shtatëfishim në raport me vitin e mëparshëm, teksa kaloi nga menaxhimi dhe administrimi i pronës në shitje të apartamenteve.
Nga shitja e apartamenteve, shoqëria gjeneroi të ardhura prej 1.6 miliardë lekësh, sipas të dhënave në raportin e aktivitetit dhe rreth 700 milionë lekë të tjera janë shitje punimi në proces.

Stabilizohen të ardhurat e prodhuesve të çimentos
Industria e çimentos ka frenuar rritjen e të ardhurave në vitin 2023, pas zgjerimit të fortë që shënoi në vitin 2022, e ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve si rrjedhojë e kostove të larta të energjisë dhe rimëkëmbja e kërkesës pas pandemisë.
Megjithatë, konsumi ka vijuar në rritje. Sipas të dhënave nga “Colacem Albania” në vitin 2023, sektori i çimentos regjistroi nivele konsumi rreth 1.7 milionë tonë, një rritje prej 19% krahasuar me vitin 2022.
Rritja lidhet me ecurinë e mirë të sektorit të ndërtimit, për shkak të rindërtimit pas tërmetit, shitjet e pasurive të paluajtshme për banesa private, rimëkëmbjen e fortë të punëve publike dhe në fund, investimet e huaja në sektorin e turizmit.
“Antea Cement” është kompania më e madhe në vend në sektorin e ndërtimit (total). Shoqëria raportoi një qarkullim vjetor prej 12 miliardë lekësh, me rënie 2%.
Sipas raportit të aktivitetit, “Antea Cement” ka një kapacitet prodhimi prej 1.4 milionë tonësh çimento në vit dhe 3.300 tonë klinker në ditë. Shoqëria shet produktin e saj në tregun e brendshëm, si dhe e eksporton atë në tregun ndërkombëtar.
Tregjet kryesore ku Shoqëria eksporton janë vendet fqinje dhe Rajoni i Mesdheut. Një vit më parë, kompania kishte shënuar një zgjerim të fortë prej 34%, i ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve për të kompensuar rritjen e energjisë dhe lëndëve djegëse.
“Fushë-Krujë Cement Factory” raportoi të ardhura rreth 7 miliardë lekë, sipas të dhënave indirekte nga renditja e Tatimeve (kompania nuk ka dorëzuar bilancin e 2022 dhe 2023).
“Colacem Albania” raportoi të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh. Sipas raportit të aktivitetit, “Colacem Albania” e mbylli vitin me rritje të xhiros me rreth 3.8% në terma realë, me të ardhura totale rreth 32.3 milionë euro.
Volumi i shitjeve pati rënie të lehtë krahasuar me vitin 2022. Rritja e volumit të eksportit prej 2.0% nuk ishte e mjaftueshme për të kompensuar rënien e shitjeve vendore, e cila e mbylli vitin në – 6.1%, krahasuar me 2022.
“Në vitin 2022, ‘Colacem Albania’ filloi punimet për ndërtimin e një silo klinker me diametër 40 metër, me kapacitet gjysmë të përfunduar të magazinimit të produktit prej rreth 70,000 tonë. Shuma totale e investimit është 5 milionë euro. Aseti do të fillojë punën në vitin 2024”.
“Berdica Cement” është për të dytin vit radhazi në listën e “Monitor 200”. Të ardhurat u rritën me 6.3%, në 3.1 miliardë lekë në vitin 2023. Kompania ka aktivitet në distribucionin e ingredientëve dhe aditivëve për industrinë e materialeve të ndërtimit në Shqipëri dhe Kosovë.
Të ardhurat, sipas raportit të aktivitetit, gjenerohen nga shitja e mallrave të ndryshëm industrialë të përdorur në ndërtim si çimento, gëlqere, gur kuarci, rezinë dhe nga shërbimet e transportit. “Shqipëria ka një industri të ndërtimit në rritje dhe një nevojë të vazhdueshme për materiale ndërtimi, si çimento.
Rritja e aktivitetit të ndërtimit në vend, si rezultat i zhvillimeve urbanistike, rindërtimit dhe ndërtimit të infrastrukturës krijon një kërkesë të qëndrueshme për çimento. Përveç kësaj, rritja e investimeve në sektorët e tjerë si energjetika dhe prodhimi industrial mund të rrisë kërkesën për materiale ndërtimi, duke përfshirë çimenton”.

Ngadalësohet dhe industria mbështetëse
Prej tre vitesh, kompanitë e segmentit të materialeve hidrosanitare, të ndërtimit e mobilieve kishin njohur rritje të shpejtë dyshifrore. Por, në vitin 2023, shumica e tyre kanë parë rënie të lehtë. Frenimi i transaksioneve të pronave të paluajtshme dhe zhvlerësimi i Euros për ato që janë të përfshira dhe në eksport vlerësohen nga operatorët si arsyet kryesore të kësaj tendence.
Operatori më i madh në treg është “Brunes”, me aktivitet në tregtimin e materialeve të ndërtimit, qeramikë, hidrosanitare dhe mobilie, që ka parë zgjerim të të ardhurave me 2.7%, në 5.4 miliardë lekë.
“Shqipëria është një vend i sigurt për operimin e biznesit, por karakterizohet shpeshherë nga tensione politike, të cilat sjellin paqartësi dhe pasiguri për operatorët e biznesit, si dhe vetë konsumatorët.
Tensionet politike shpeshherë shoqërohen me ndryshime në legjislacionin tatimor, duke e bërë të vështirë për operatorët e biznesit të përditësohen dhe të implementojnë me përpikëri të gjitha ndryshimet.
Problemi tjetër që përbën një risk për ‘Brunes’ sh.p.k. është niveli i lartë i informalitetit në Shqipëri, duke shkaktuar si rrjedhojë konkurrencë të pandershme. Situata është më e pranishme në rrethet e tjera të Shqipërisë”, thuhet në raportin e aktivitetit. Shoqëria thotë se tregu ku ata operojnë ka ende mundësi për rritje, ndaj po synojnë zgjerimin e gamës së produkteve.
“Billa” raportoi të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh, me rënie prej 5.5% me bazë vjetore. Në raportin e aktivitetit, si faktor kryesor për këtë rënie përmendet zhvlerësimi i Euros në raport me Lekun. “Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e shitjeve kryhet në eksport, përkthimi i tyre në Lek është kryer sipas kursit ditor dhe kjo ka shkaktuar zhvlerësimin e shitjeve të paraqitura në monedhën vendase”.
“Haki Sinani” kishte të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh, me rritje 10.5% me bazë vjetore. Tendenca pozitive pritet të vijojë. Sipas raportit të aktivitetit, kompania ka planifikuar investime në aktivet e saj afatgjata materiale, kryesisht në zërin “Toka dhe ndërtesa” për të shfrytëzuar sa më mirë burimet e krijuara nga rezervat dhe fitimi i këtij viti.
DAST (Delta Adhesive Structural Tech) kishte të ardhura prej rreth 3.6 miliardë lekë, sipas të dhënave paraprake nga Tatimet.
DELTA (tregti pllakash dhe pajisjesh hidrosanitare) kishte rënie të ardhurash me 24%, në 2.5 miliardë lekë.
Rënia e prodhuesve të aluminit
Segmenti i prodhimit të profileve të aluminit, pas rritjes së shpejtë të viteve të mëparshme, ka shënuar rënie në vitin 2023.
“Everest”, me aktivitet në prodhimin e profileve të aluminit, pas rritjes me 50% të të ardhurave në 2022, në vitin 2023 shënoi rënie.
Të ardhurat u tkurrën me 46%, në 4 miliardë lekë. “Për vitin 2023, kemi rënie të xhiros, dhe nga ecuria e deritanishme dhe nga kontratat që kemi në proces dhe të lidhura rishtas, ne parashikojmë që volumi i të ardhurave të jetë në nivelin e vitit 2022 dhe treguesit ekonomikë e financiarë do të përmirësohen”, thuhet në raportin e aktivitetit.
Prodhuesi i profileve të aluminit, “Alumil”, raportoi të ardhura prej 2.9 gati miliardë lekësh, duke shënuar rënie prej 11.7%, pas zgjerimit dyshifror të dy viteve radhazi.
“Sideral”, e fokusuar në tregtimin dhe riciklimin e metaleve, ka dalë nga renditja e 200 më të mëdhenjve.
Materialet elektrike
Segmenti i materialeve elektrike ndoqi ciklin e ndërtimit, duke shënuar rritje të ndjeshme për disa vite radhazi. Por, në vitin 2022, këto ritme janë ngadalësuar. Ndërsa në vitin 2023, pjesa më e madhe e operatorëve në këtë segment kanë shënuar tkurrje të lehtë të aktivitetit.
“4 A-M”, më e madhja në këtë segment, me fokus punime elektrike, tregtim me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, rezultoi me qarkullim vjetor 4.7 miliardë lekë, me rritje vjetore prei 12.2%.
“Albaelettrica” raportoi të ardhura 3.9 miliardë lekë, me rënie 6%. Sipas faqes zyrtare, “Albaelettrica” është specializuar në tregtimin me shumicë e pakicë të materialeve elektrike, civile, industriale, si dhe projektimin dhe instalimin e tyre që prej vitit 1993.
“Gjatë vitit 2023 ‘Albaelettrica’ ka mbajtur nivelin e aktivitetit në vlerat e pritshme. Treguesit financiarë janë të kënaqshëm, duke marrë parasysh situatën në vend dhe faktorët makro e mikroekonomikë”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“ITE GROUP”, me aktivitet në import-eksport, materiale elektrike, renditet në listën e “Monitor 200” për të dytin vit radhazi. Të ardhurat në vitin 2023 ishin 2.5 miliardë lekë.
“Ecuria gjatë vitit të kaluar ishte pozitive, kemi pasur sërish rritje në tregtimin e materialeve elektrike në pikat tona të shitjes me pakicë dhe shumicë.
Ndërkohë, në shitjen e produkteve fotovoltaike, ku gjatë vitit 2022 pati një kërkesë të lartë për nevoja vetëprodhuese të bizneseve, në mënyrë që të ulnin kostot për energjinë elektrike, në vitin 2023 pati rënie të kësaj kërkese, pasi shumica e bizneseve që kanë konsum të lartë të energjisë elektrike e mbyllën këtë investim brenda 2022, dhe në vazhdim pritet që kjo kërkesë të bjerë.
Ky vit (2024) pritej të ishte i vrullshëm, si rrjedhojë vetëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit patëm rritje me 50% nga viti i kaluar, ku faktor pa dyshim kanë qenë investimet që po bëhen në jugperëndim të vendit dhe po ashtu, edhe zhvillimet që po bëhen në parqet fotovoltaike”, thanë burime zyrtare të kompanisë.
“Sali Elektrik” deklaroi një xhiro prej 2.2 miliardë lekësh, me rënie prej 4%. Sipas faqes së saj të internetit, “kompania ‘Sali Elektrik’ u themelua në vitin 1996 dhe ka një eksperiencë 25-vjeçare në sektorin e tregtisë dhe shpërndarjes së materialeve elektrike dhe të ndriçimit”.
“Sali Elektrik” ka në total katër magazina në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë, si dhe një rrjet të gjerë përfaqësuesish në të gjithë Shqipërinë.

The post Si po rritet varësia e ekonomisë nga ndërtimi e pasuritë e paluajtshme appeared first on Revista Monitor.
