Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Simone Inzaghi dhe Thiago Motta, me shumë mundësi, do të preferonin ta luanin këtë Derbi të Italisë në një moment tjetër, por kalendari është i ngjeshur dhe fati – që i lidh të dy nga pikëpamja e infermierisë së mbingarkuar – nuk pyet. Inter dhe Juventus përballen në San Siro në një ndeshje të rëndësishme për titullin, e cila është bërë edhe më vendimtare duke parë ecurinë triumfale të Napolit të Conte-s, që është i qetë, i pushuar dhe fitues në krye të tabelës.
Inter-Juventus në një San Siro të mbushur plot, për herë të disatë, nuk është kurrë një ndeshje si të tjerat, por asnjëherë si në këtë rast kartat nuk kanë qenë më të shpërndara, në mos të fshehura. Nga njëra anë, Inzaghi duhet të përballet me problemet fizike të Acerbi-t dhe Calhanoglu-së dhe disa shqetësime të pazakonta për ekuilibrin; nga ana tjetër, Motta, midis mbrojtjes dhe mesfushës, ka mungesa të rëndësishme që do ta detyrojnë të nxjerrë ndonjë zgjidhje kreative.
Si vjen Interi: mungon shtylla qendrore
Inter-i i Simone Inzaghi-t duket se ka rigjetur njëfarë ekuilibri në fushë, por vazhdon të lejojë shumë kundërshtarët në krahasim me të kaluarën e tij triumfuese. Kundër Romës dhe Young Boys janë arritur dy fitore minimale në transfertë pa pësuar gol, por kjo më shumë për shkak të rastësisë sesa për një performancë të vërtetë në fushë. Loja ofensive, e privuar nga teknika e Calhanoglu-së, është më e ngadaltë dhe e rënduar se zakonisht, por ajo që nuk e lë të flejë trajnerin e Inter-it është lehtësia me të cilën skuadrat kundërshtare arrijnë të shqetësojnë Sommer-in.
Pa Acerbi dhe Calhanoglu, Inzaghi humbet shtyllën qendrore të Inter-it në të dy fazat e lojës. Nëse mungesa e dirigjimit të turkut ka treguar dobësi edhe në Zvicër, pa Acerbi zikaltrit humbasin një lojtar të rëndësishëm dhe fizik në përballjen një ndaj një me Vlahovic, i cili në San Siro nuk ka shënuar kurrë dhe do të kërkojë të zhbllokohet. Do t’i takojë De Vrij, një lojtar i besueshëm, por me karakteristika të ndryshme nga qendërmbrojtësi italian.
Si vjen Juventusi: shpejtësi dhe talent, ylli Yildiz
Juventus-i i Motta-s, ndërkohë, arrin në San Siro pas një paraqitjeje më se zhgënjyese në Ligën e Kampionëve kundër Shtutgartit. Nëse në kampionat mbrojtja ka qenë solide dhe ka pësuar vetëm një gol me penallti nga Cagliari në tetë ndeshje, përballja kundër gjermanëve i ka parë bardhezinjtë të sulmuar pareshtur, me Mattia Perin të detyruar të bëjë më shumë pritje në një ndeshje të vetme sesa bashkëlojtari i tij Di Gregorio gjatë gjithë sezonit. A ishte thjesht një natë e keqe apo fillimi i lëkundjeve? Ndeshja kundër Inter-it mund të japë përgjigje konkrete në këtë drejtim, por ajo që e shqetëson më shumë Thiago Motta-n është infermieria e mbushur që po i prish vazhdimisht ekuilibrin e skuadrës.
Lexo më tej: Video/ Juventus një natë në krye të renditjes: Lazio me 10 lojtarë, dorëzohet në autogolin e Gila
Vlahovic është sulmuesi qendror dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim, duke qenë se mungon edhe një alternativë e vlefshme. Megjithatë, dëshira e trajnerit bardhezi është të ofrojë sa më shumë cilësi në sulm pas shpinës së serbit, duke e përballur fizikën e Inter-it me cilësinë në pasime. Në mungesë të Koopmeiners, i përzgjedhuri për të luajtur si trekuartist pas Asllani-t është Kenan Yildiz, më i përfshirë në lojë sesa kur luan më gjërë në të majtë. Detyra e Conceiçao-së është të shqetësojë krahët me shpejtësinë e tij. Gjithsesi, golat mbeten një problem që Motta duhet ta zgjidhë shpejt.
The post Inter kërkon stabilitet, Juventus gola: Inzaghi, Motta e derbi i çuditshëm i Italisë appeared first on Lapsi.al.
