“The Week”: Kampet italiane në Shqipëri do ndryshojnë lojën

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

E përditshmja britanike “The Week” i ka kushtuar hapësirë marrëveshjes së Italisë me Shqipërinë që prej 2 javësh ka qenë në qendër të vëmendjes në të gjitha qendrat europiane. Në shkrim pasqyrohen zërat pro dhe kundër në disa nga mediat më të njohura në Angli, Gjermani, Francë dhe Shqipëri. Më poshtë lapsi.al sjell të plotë shkrimin.

Giorgia Meloni, kryeministrja e krahut të djathtë të Italisë, ka arritur “atë që konservatorët dështuan aq fatalisht për të bërë me skemën e tyre të kritikuar të Ruandës”, – u shpreh Nicholas Farrell për “The Spectator”. Kjo e ka bërë Italinë vendin e parë evropian që përpunon aplikantët për azil në “offshore”.

Skema e saj filloi të funksionojë javën e kaluar, kur 16 azilkërkues u transportuan përtej Adriatikut në Shqipëri dhe u dërguan në objektin e ndërtuar me këtë qëllim në fshatin Gjadër. Skema është e kufizuar për migrantët meshkuj të shëndetshëm që kapen duke udhëtuar nëpër Mesdhe me varka të vogla dhe që vijnë nga ndonjë prej 19 vendeve të përcaktuara “të sigurta” nga Italia. Me të mbërritur në Gjadër synohet që kërkesat e tyre të procedohen brenda 28 ditëve. Ata që pak me fat u jepet azil do të lejohen të shkojnë në Itali, por “shumica dërrmuese do të deportohen në vendet e tyre të origjinës”. Është një qasje potencialisht “ndryshuese e lojës” ndaj migrimit të paligjshëm.

Marrëveshja 5-vjeçare midis Romës dhe Tiranës është ndryshe nga ajo që kemi parë më parë në Evropë, shkroi gazeta franceze “Libération”. E firmosur në nëntor 2023, ajo do të bëjë Italinë t’i paguajë Shqipërisë 160 milionë euro në vit. Në këmbim, Roma shpreson që 3000 azilkërkues në muaj të përpunohen atje. Emigrantët do të mbërrijnë në portin e Shëngjinit, shkroi “Shekulli” e Tiranës, ku do t’i nënshtrohen një kontrolli shëndetësor, do t’u jepen rroba të pastra (“xhupa dhe tuta blu ose të zeza”). Më pas ata do të dërgohen me autobus për në Gjadër, objekti prej 70 000 m2 i mbyllur me gardhe metalike 6 metra të lartë, i cili është i ndarë në tre sektorë. I pari përbëhet nga njësi akomoduese të parafabrikuara të ndara në dhoma me 4 shtretër. Nuk ka mensë. Ushqimi duhet “të përgatitet dhe konsumohet në ambientet e përbashkëta”. Sektori i dytë është një zonë e sigurt e rezervuar për ata që “u është refuzuar azili dhe presin të riatdhesohen” ndërsa i treti është një burg i vogël për ata që kryejnë shkelje në objekt.

Kushdo që sheh foto të objektit në Gjadër “vetëm mund të tmerrohet”, u shpreh Marc Beise në gazetën e Mynihut, “Süddeutsche Zeitung” që për të duket si një burg i sigurisë së lartë. Më e keqja është se nuk do ta zgjidhë as problemin që synon. “Pionerët e pavullnetshëm” të këtij eksperimenti të shëmtuar social ishin përzgjedhur me kujdes. Ata vinin nga Egjipti dhe Bangladeshi, me shpresën që duke qenë se këto janë vende relativisht të qëndrueshme, 16 emigrantët nuk do të mund t’i shpëtonin dëbimit duke kërkuar azil.

Por, një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dy javë më parë, u bë “kalë karroce” për shpresën e tyre tha Eduard Halimi në Gazetën Panorama. Në një goditje të madhe për Melonin, gjykata vendosi që asnjë vend jo-anëtar i BE-së nuk mund të konsiderohet “i sigurt” nga një shtet anëtar, nëse i gjithë territori i tij nuk është i rrezikshëm për të gjithë. Dhe kjo, për momentin, ka vënë në pikëpyetje skemën e Melonit, tha Elena Giordano në gazetën “Politico” të Brukselit. Këtë javë, një gjykatë imigracioni në Romë vendosi që 16 emigrantët nuk mund të ndalohen ndaj ata duhet të kthehen në Itali.

Qeveria e Melonit miratoi një ligj të ri për të shpëtuar skemën, njoftoi “The Economist”. Sido që të jetë rezultati, me kaq shumë vende të BE-së, nga Holanda në Poloni, që janë në halle me azilantët, skema po shqyrtohet me interes nga i gjithë blloku. Sa e ndryshme është e gjithë kjo nga mënyra se si Evropa e parashikoi sistemin e saj të azilit 10 vjet më parë, tha Peter Rásonyi në gazetën “Neue Zürcher Zeitung”. Në atë kohë, Brukseli udhëhiqej nga ideali i denjë, i udhëhequr nga “parimet humanitare të së drejtës ndërkombëtare”, se Evropa “duhet të jetë e hapur për të gjithë të ardhurit që duan të aplikojnë për azil”. Por, “të mbingarkuar nga realiteti i imigrimit të pakontrolluar”, kombe si Gjermania dhe Suedia tani po kërkojnë me dëshpërim mënyra për ta frenuar atë.

Dhe për shumë, modeli italian u përshtatet kritereve, tha Eric Bonse në “Die Tageszeitung” të Berlinit. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paraqitur si një mundësi “qendra deportimi” jashtë vendit. Kampe të pritjes jashtë BE-së, marrëveshje të reja me vendet e origjinës të qeverisur në mënyrë autokratike dhe deportimet në Siri: “papritmas çdo gjë duket e mundur”. Po, modeli italiane do të përballet me sfida ligjore. Po, madje mund të mos funksionojë. Por në klimën aktuale, duket se ai do të vazhdojë. ©Marrë nga “The Week”, përshtati në shqip LAPSI.al.

The post “The Week”: Kampet italiane në Shqipëri do ndryshojnë lojën appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *