Komisionerët 30€, 137 mln € tenderime për Celibashin

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Fatura që shfaqet është dëshmia e gjallë e një padrejtësie të madhe: vetëm 2.875 lekë (rreth 30 euro) për një komisioner që ka kaluar orë të tëra në qendrën e votimit, i lodhur e i përkushtuar për të ruajtur votën e qytetarit. Ndërkohë, Ilirjan Celibashi dhe KQZ kërkuan nga buxheti i shtetit 137 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve 2025, shkruan Klajdi Bello si komisioner në zgjedhjet e 2025.

Ky kontrast nuk është thjesht absurd  është një ofendim i hapur për qytetarët dhe për vetë procesin demokratik. Miliona euro për tendera, për kontrata të dyshimta, për projekte të fryra në kosto; por kur vjen puna tek ata që mbajnë mbi supe gjithë peshën e procesit zgjedhor, shpërblimi është qesharak, i mjerë, dhe i padenjë.

Pabarazia e qëllimshme

Komisionerët janë ata që përballen me presionin, me tensionin e natës së gjatë të numërimit, me vëzhguesit partiakë dhe me çdo konflikt që shpërthen në qendrat e votimit. Por në fund, përpjekja e tyre vlerësohet me një fletëmandat poshtërues si ky. Në të njëjtën kohë, drejtuesit e KQZ-së lëvizin mes miliona eurove, duke justifikuar çdo shifër marramendëse me pretekstin e “garantimit të standardeve zgjedhore”.

Korrupsion i institucionalizuar

Kjo nuk është më thjesht një “pabarazi pagash”. Ky është një mekanizëm korrupsioni: të shfrytëzosh punën e komisionerëve dhe t’i lësh ata me 30 euro, ndërsa në krah tjetër fryhen faturat e tenderave e kontratave publike që i kalojnë xhepit të një grushti njerëzish. Celibashi dhe aparati i tij në KQZ nuk janë thjesht administrues të një procesi teknik; ata janë bërë arkitektë të një skeme ku demokracia është fasadë, dhe paratë publike janë qëllimi real.

Mesazhi që i jepet shoqërisë

Kur një komisioner merr 30 euro, por KQZ shpenzon miliona, mesazhi që i jepet shoqërisë është i qartë: në këtë vend, puna nuk vlen, por tenderi po. Vota nuk është më instrumenti i qytetarit, por është bërë instrument pasurimi për zyrtarët.

Prandaj, përballë kësaj situate, nuk mund të heshtim. Duhet thënë me zë të lartë:

Vazhdoni vidhni, o të pangopur!

Sepse vetëm kështu ky sistem nxjerr në pah kontrastin mes atyre që sakrifikojnë për demokracinë dhe atyre që e përdorin demokracinë si biznes personal.

/Publik.al/

The post Komisionerët 30€, 137 mln € tenderime për Celibashin appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: