“QSUNT po kthehet në qendër tregtare”, PD: Në vend të ilaçeve, Rama po ofron dhoma hoteli

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Partia Demokratike ka denoncuar një tjetër rast që cenon drejtpërdrejt interesat e qytetarëve shqiptarë dhe sistemin publik shëndetësor.

Sipas deklaratës së zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, qeveria Rama, në vend që të zgjidhë problemet e mungesës së medikamenteve dhe shërbimeve bazë, po i jep prioritet projekteve fitimprurëse me natyrë biznesi në zemër të sistemit shëndetësor publik.

Në qendër të akuzave është një projekt ndërtimi në ambientet e QSUT-së. Bëhet fjalë për “një kontratë me vlerë 14 milionë euro, e shpallur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) në shtator 2024, me objekt: “Përmirësimi i transportit urban dhe parkimeve – Ndërtimi i godinës së parkimit multifunksional me shumë nivele në QSUT”. Projekti është fituar nga kompania “Salillari shpk” me bashkëpunim të “ASL shpk”.

Sipas kontratës, ndërhyrja përfshin ndërtimin e dy godinave: një strukturë parkimi 6-katshe (5 mbi tokë dhe 1 nën tokë) dhe një hotel 5-katësh me qëllime pritjeje dhe logjistike, gjithashtu me një kat teknik nëntokësor. Afati i realizimit të projektit është 24 muaj.

PD deklaron se gjasat janë që menaxhimin e parkimit të ri mund ta kryejë Agjencia Ekonomike Mbështetëse e krijuar (në v.2018) nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, e drejtuar nga ish-zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.

Në krye të saj qëndron Alfred Dalipi, ish- zv.ministër i Mjedisit dhe ish deputet i PS-së.

PD deklaron se kjo agjenci nisi aktivitetin e saj duke vendosur tarifa parkimi në QSUT, dhe tashmë është shndërruar në një strukturë që përveç parkimit të QSUNT menaxhon edhe parkime dhe projekte në të gjithë vendin, si:

• Qendra e Zhvillimit të Turizmit në Valbonë, Tropojë

• në Vermosh, Malësi e Madhe

• Kompleksi Agroturistik në Belsh

• Godina e Parkimit në Berat, në Sheshin “Teodor Muzaka”

• Qendra e Zhvillimit Rajonal në Korçë

• Godina e Parkimit në Gjirokastër, në Sheshin “Çerçiz Topulli”.

“Përmes këtyre projekteve, Agjencia gjeneron miliona euro në kurriz të pasurisë publike. Ndërkohë, QSUT – spitali më i madh i vendit – përballet me mungesë të shërbimeve bazë dhe të hapësirave po përdoren për zona parkimi me pagesë.”– shprehet Vangjeli.

Ky është një tjetër shembull i zhvatjes së pasurisë publike dhe i kthimit të institucioneve shëndetësore në biznese private, në kurriz të qytetarëve.

Partia Demokratike kërkon transparencë të plotë dhe ndalimin e menjëhershëm të projekteve që synojnë kthimin e QSUT-së në një qendër fitimprurëse, në vend që të jetë një institucion në shërbim të pacientëve dhe shëndetit publik.

The post “QSUNT po kthehet në qendër tregtare”, PD: Në vend të ilaçeve, Rama po ofron dhoma hoteli appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: