Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Vllaznia ka arritur një fitore të madhe në kampionat duke triumfuar me shifrat 4-1 ndaj Partizanit, në një ndeshje që mbajti të mbërthyer tifozët deri në minutat shtesë. Rezultati final mund të duket i thellë, por dinamika e lojës tregoi një histori shumë më të komplikuar e dramatike.
Takimi nisi me ritëm të lartë nga skuadra shkodrane, e cila krijoi disa mundësi të pastra shënimi. Portieri i Partizanit, Alban Hoxha, ishte heroi i kuqve në ato minuta, duke u bërë pengesë e pakalueshme për sulmuesit kundërshtarë. Megjithatë, pavarësisht dominimit të Vllaznisë, ishte Isgandarli ai që me goditjen e parë në portë çoi Partizanin në avantazh, duke ngritur peshë kampin e kuq.
Shkodranët reaguan menjëherë dhe gjetën barazimin falë një penalltie të kthyer në gol nga Bekim Balaj, duke mbyllur pjesën e parë me shifrat 1-1.
Çmenduri në shtesë
Fraksioni i dytë u zhvillua me Vllazninë që kontrollonte topin, por pa mundur të krijonte të njëjtën rrezikshmëri si më herët. Gjithçka dukej e destinuar të përfundonte në barazim, derisa në minutat shtesë shpërtheu spektakli.
Fillimisht Balaj, sërish nga pika e bardhë, përmbysi rezultatin. Më pas Hakaj dhe Bismark shënuan dy herë të tjera në kundërsulme të shpejta, duke e shndërruar ndeshjen në një fitore të thellë 4-1. Me këtë sukses, Vllaznia jo vetëm rikthehet te triumfet, por edhe gjen buzëqeshjen e munguar pas disa javësh jo të lehta.
The post Tre gola në shtesë dërrmojnë Partizanin: Vllaznia merr fitoren mes polemikave appeared first on Lapsi.al.
