Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka reaguar për herë të parë, pas lirimit nga burgu të hënën pasdite. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Sarkozy falënderoi ata që e kanë mbështetur gjatë gjithë kësaj kohe dhe tani e ktheu vëmendjen te përgatitja për apelin.
“E vërteta do të triumfojë. Është diçka e qartë që jeta na mëson. Në momentin kur të rifitoj lirinë time dhe familjes sime, dua t’u them të gjithë atyre që më shkruan, më mbështetën dhe më mbrojtën sa mirënjohës jam ndaj tyre. Mijëra shprehje mbështetjeje më kanë tronditur dhe më kanë dhënë forcën për të duruar këtë përvojë të vështirë”, tha ish-presidenti francez.
Ai shtoi se tani fokusi i tij është përgatitja e apelimit: Ligji është zbatuar. Tani do të përgatitem për apelin. Energjia ime është përqendruar ekskluzivisht në vërtetimin e pafajësisë sime. E vërteta do të triumfojë. Është diçka e qartë që jeta na mëson. Ajo që mbetet është të shkruajmë fundin e historisë.
Nicolas Sarkozy u lirua nga burgu pasi një gjykatë në Paris vendosi që ai mund të lirohet ndërsa ai apelon kundër dënimit të tij për komplot për të mbledhur fonde nga Libia. Sarkozi u dërgua në burg më 21 tetor pasi u shpall fajtor në shtator për konspiracion kriminal lidhur me përpjekjet e ndihmësve të ngushtë për të siguruar fonde për kandidaturën e tij presidenciale të vitit 2007 nga udhëheqësi i ndjerë libian Muamar Gadafi.
Prokurorët kërkuan që Sarkozy të lirohej nën kontroll gjyqësor, me kufizime se kë mund të kontaktojë. Gjykata përcaktoi gjithashtu se Sarkozisë i ndalohet të kontaktojë persona të përfshirë në çështjen e tij, si dhe Ministrin aktual Francez të Drejtësisë, Gerald Darmanin, i cili u vu nën vëzhgim publik për vizitën që i bëri Sarkozisë në burg në tetor.
The post Reagon Sarkozy pas lirimig nga burgu: Ligji u zbatua, e vërteta do të triumfojë appeared first on Lapsi.al.
