Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Përplasja mes Luanës Vjollca dhe gazetarit Elton Tozaj ka marrë përmasa të reja, duke kaluar tashmë nga debati televiziv në një betejë të mirëfilltë ligjore. Moderatorja e njohur ka dorëzuar padi ndaj gazetarit, pas deklaratave të tij që pala e Luanës i ka cilësuar si të pavërteta, fyese dhe dëmprurëse për figurën e saj publike.
Gjithçka nisi pas intervistës së Tozajt në emisionin “Zgjohu me MCN”, ku gazetari deklaroi se Luana ishte “e fiksuar” pas ish-partnerit Krenar Çoçaj, duke pretenduar madje se ajo e ndiqte atë dhe partneren aktuale, Endi Demnerin. Tozaj përmendi episode që ai i quajti “indicje”, si:
të qenit në të njëjtin avion me çiftin gjatë një fluturimi drejt Milanos;
të pushuarit në Saint-Tropez në të njëjtën periudhë dhe në të njëjtin qytet ku ndodhej Çoçaj.
Deklaratat bënë xhiron e rrjetit në pak minuta, duke ndezur polemika të forta për motivet dhe vërtetësinë e tyre.
Sipas burimeve, menjëherë pas intervistës, avokati i Luanës ka kontaktuar Tozajn për t’i kërkuar prova konkrete mbi deklaratat e bëra publikisht. Por gazetari e bëri publik vetë këtë komunikim, duke e shoqëruar me tone tallëse.
Në një postim në Instagram Story, Tozaj shkroi:
“Luana më vë avokatin të më marrë në telefon pas intervistës. Këto s’kanë as guxim të telefonojnë, aq të dh*ra janë…”
Ky reagim e rriti më tej tensionin, ndërsa rrjeti shpërtheu me komente pro dhe kundër.
Por nuk mbaroi me kaq. Vetëm pak orë më vonë, Tozaj publikoi një tjetër mesazh të ashpër, i interpretuar nga shumë si kërcënim i drejtpërdrejtë:
“Së shpejti listën kush del si eskortë nëpër burgje.”
