Statuja e re e Bridget Jones zbulohet në Leicester Square

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Renée Zellweger e ka quajtur “të adhurueshme” statujën e re të Bridget Jones, e cila u zbulua të hënën në Leicester Square të Londrës. Aktorja tha me humor se statuja “është shumë më e ëmbël se unë”.

Bridget Jones, personazhi i krijuar nga Helen Fielding në vitin 1996 dhe i sjellë në ekran për herë të parë më 2001, ka mbetur ikonë për më shumë se 20 vite. Filmi i katërt, Bridget Jones: Mad About the Boy, doli në shkurt të këtij viti dhe pati hapjen më të mirë të arkës filmike për një komedi romantike në Britani dhe Irlandë, megjithëse mori reagime të përziera nga kritikët.

Në ceremoninë e zbulimit të statujës, Fielding la të hapur mundësinë për një vazhdim të ri, duke thënë se “kurrë mos thuaj kurrë” nëse shfaqet një histori e re që ia vlen të rrëfehet.

Zellweger theksoi se suksesi i Bridget Jones vjen nga vulnerabiliteti dhe humanizmi i saj, një personazh me të cilin shumë gra janë identifikuar ndër vite, falë situatave të saj të sikletshme, pasigurive dhe humorit të veçantë.

Megjithëse disa kritikojnë sot aspektet e historisë, si fiksimi me peshën dhe marrëdhëniet,  Fielding shpjegoi se koha ka ndryshuar, por mesazhi kryesor për sinqeritetin dhe pranimin e vetvetes mbetet i vlefshëm.

Statuja e Bridget Jones është e para që nderon një komedi romantike në shtegun “Scenes in the Square”, i cili që nga 2020 ka shtuar figura si Mary Poppins, Batman, Harry Potter, Indiana Jones dhe të tjera./MXH

Shpërndaje: