Përfundon numërimi për zgjedhjet në Kosovë, Vetëvendosje fiton shumicën e votave!

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ka përfunduar procesi i numërimit të 99.02 % të votave për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet zyrtare, sipas të cilave fituese me 49.30 për qind të votave del Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas rezultateve, Vetëvendosje renditet e para, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës në vendin e dytë, Lidhja Demokratike e Kosovës në vendin e tretë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në vendin e katërt.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rezultatet janë si më poshtë:

•             Lëvizja Vetëvendosje: 49.30 për qind apo 429 mijë e 979 vota

•             Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 21.01 për qind apo 183 mijë e 258 vota

•             Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 13.59 për qind apo 118 mijë e 490 vota

•             Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK): 5.68 për qind apo 49 mijë e 571 vota

•             Lista Serbe: 4.74 për qind apo 41 mijë e 335 vota

•             Nisma Socialdemokrate: 1.72 për qind apo 14 mijë e 973 vota

Sipas të dhënave janë ende pa numëruar rreth 60 mijë vota ndërsa mbetet ende e paqartë se si do të formohet qeveria e re.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën të dielën, më 28 dhjetor, ku mbi 1.9 milionë qytetarë kishin të drejtë vote. Procesi i votimit u zhvillua në 910 qendra votimi me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00. Sipas të dhënave paraprake, pjesëmarrja në votime ishte rreth 45 për qind.

Zgjedhjet u organizuan pas një periudhe të gjatë krize politike dhe mungesës së një qeverie funksionale, pasi forcat politike nuk arritën të krijonin një koalicion qeverisës pas zgjedhjeve të mëparshme. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili votoi në Prishtinë, deklaroi se përpjekjet për formimin e koalicionit dështuan, duke ia lënë vendimin qytetarëve përmes votës.

The post Përfundon numërimi për zgjedhjet në Kosovë, Vetëvendosje fiton shumicën e votave! appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: