Juventus po kalon një formë të mirë në kampionatin italian, ku regjistroi fitoren e radhës, e cila është e katërta në pesë ndeshjet e fundit, ku bardhezinjtë kanë grumbulluar 13 pikë. Një ecuri e njëjtë me atë të Milanit, ndërsa e vetmja skuadër që i ka fituar të pesë sfidat e fundit është Inter. Të martën, të besuarit e Spalletit fituan lehtësisht në transfertë ndaj Sassuolo-s, ndërsa sfida u zhbllokua në minutën e 16-të pas autogolit të Muharemovic.
Në pjesën e dytë, Miretti dhe David vulosën fitoren 3-0 dhe ngjitën Juventusin në vendin e katërt në klasifikim me 36 pikë. Një fitore të rëndësishme të martën siguroi edhe Roma, duke lënë pas humbjen me Atalantën. Ndaj Lecce, verdhekuqtë triumfuan me golat e Ferguson dhe Dovbyk. Pas 19 ndeshjesh, skuadra e Gasperinit ka 36 pikë dhe renditet pas Juventusit.
Como, e cila mund të konsiderohet surpriza e sezonit, vijon me ritëm pozitiv, duke marrë një tjetër triumf, këtë herë ndaj Pisa-s. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në të dytën miqtë shënuan tre herë me Perrone dhe dopietën e Douvikas. Pisa shpërdoroi një penallti, ku Nzola u ndal nga portieri kundërshtar. Como renditet përkohësisht në vendin e gjashtë me 33 pikë, pas 18 ndeshjesh të luajtura.

The post VIDEO/ Juventus fiton lehtësisht ndaj Sassuolo, ngjitet në vendin e katërt appeared first on Euronews Albania.
