Një trup i pajetë është gjetur në zonën Avdimou të Qipros, duke i vënë autoritetet në gatishmëri. Sipas mediave vendase, trupi u zbulua nga një qytetar në plazh. Autoritetet kanë dyshime se trupi i pajetë mund të lidhet me zhdukjen misterioze të biznesmenit 56-vjeçar rus, Vladislav Baumgartner.
Trupi i gjetur është në një fazë të avancuar dekompozimi, gjë që aktualisht e bën të pamundur identifikimin e tij të menjëhershëm. Autoritetet e kanë transferuar trupin në morgu, në mënyrë që të enjten, të kryhet autopsia.
Për momentin, Policia nuk ka konfirmuar nëse trupi i përket biznesmenit 56-vjeçar. Sipas Zyrës së Mjekut Ligjor të Limasolit, deri më tani nuk është përjashtuar asnjë mundësi në lidhje me shkakun e vdekjes së burrit të panjohur.
Sipas raportit zyrtar të Policisë së Qipros, 56-vjeçari mungon nga vendbanimi i tij në Limasol që nga 7 janari. Ai përshkruhet si afërsisht 1.90 m i gjatë, me trup të hollë, me flokë gri, ndërsa në kohën e largimit të tij kishte veshur pantallona të shkurtra të zeza dhe një bluzë të zezë me mëngë të shkurtra.
Kërkimet për biznesmenin u ndërprenë në momente të ndryshme kohore për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe motit të keq.
The post Gjendet trupi i pajetë i një burri në Qipro, dyshohet se i përket biznesmenit të zhdukur rus appeared first on Euronews Albania.
