Kompania kineze e sanksionuar nga Perëndimi merr pjesë në panairin ushtarak në Sarajevë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Një prodhues dhe tregtues shtetëror kinez i armëve, i cili është nën sanksione të Perëndimit për shkak të bashkëpunimit me Rusinë, që po zhvillon luftë kundër Ukrainës, është ndër ekspozuesit në panairin e pajisjeve ushtarake të organizuar nga Ministria e Mbrojtjes e Bosnje e Hercegovinës dhe nga Qeveria e entitetit të Federatës së BeH-së, së bashku me kompani vendase.

Poly Technologies ka shkuar në Sarajevë me makete të dronëve që përdoren nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës, sisteme kundër dronëve, si dhe raketa, granata, raketahedhës dhe anije sulmuese.

Organizatorët në Bosnje nuk iu përgjigjën pyetjes së Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL) se si një kompani kineze nën sanksione u gjend në një panair në një vend që është në Planin e Veprimit për Anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe që, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, duhet të ndjekë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë.

“Një gjë e tillë nuk duhej të ndodhte. Miratimet për ardhjen e njerëzve, kompanive dhe mjeteve, armëve dhe municioneve duhej të jepeshin nga disa institucione. Ai që e organizoi panairin duhej të bënte verifikimet. Nuk do të çuditesha as nëse kjo do të ishte një neglizhencë e qëllimshme, sepse besoj se nuk ka ndodhur rastësisht”, tha për REL-in Sead Jusiç, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes i Bosnjes.

Jusiç thotë se këto ardhje dhe paraqitje “duhej t’i filtronin Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Sigurisë dhe Ministria e Tregtisë së Jashtme e BeH-së”.

“E dini si është në BeH, për disa njerëz në këto ministri, disa vende janë mike, për të tjerët nuk janë”, thotë Jusiç.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendosën Poly Technologies në listën e subjekteve të sanksionuara në qershor të vitit 2024.

Sipas autoriteteve amerikane, kompania kineze e ka furnizuar industrinë ushtarake ruse me sisteme navigimi për helikopterët ushtarakë Mi-17, si dhe me teknologji të tjera “me përdorim të dyfishtë”, të cilat mund të përdoren për qëllime ushtarake.

Londra vendosi sanksione ndaj Poly Technologies në prill të vitit 2025, për shkak të aktiviteteve që, sipas arsyetimit të autoriteteve britanike kontribuojnë në kapacitetet ushtarake të Rusisë dhe cenojnë sovranitetin e Ukrainës.

BE-ja e përfshiu Poly Technologies në listën e subjekteve të sanksionuara në maj të vitit 2025, duke thënë se kompania kineze i kishte furnizuar Rusisë komponentë për helikopterë ushtarakë. Sanksione ndaj saj kanë vendosur edhe Kanadaja dhe Ukraina.

Organizata kërkimore C4ADS tha se në bazat ndërkombëtare të të dhënave për doganat dhe tregtinë kishte identifikuar më shumë se 280 dërgesa të Poly Technologies drejt Rusisë.

The post Kompania kineze e sanksionuar nga Perëndimi merr pjesë në panairin ushtarak në Sarajevë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: