Po trafikonin 160 kg kokainë me kamion në Itali, në pranga dy shqiptarë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Dy persona me origjinë shqiptare janë arrestuar në provincën e Bergamos, Itali, gjatë një operacioni të Guardia di Finanza, pasi u kapën duke trafikuar mbi 160 kilogramë kokainë të pastër të fshehur në një kamion tip TIR. Lënda narkotike, e ndarë në 150 pako, vlerësohet se do të sillte fitime prej rreth 20 milionë euro në tregun e paligjshëm.

Operacioni u zhvillua në kuadër të kontrollit të koordinuar nga Njësia e Policisë Ekonomike dhe Financiare e Brescias, në zonat industriale dhe tregtare të Bergamos dhe Brescias, të cilat konsiderohen me interes të lartë hetimor. Forcat e rendit vëzhguan lëvizje të dyshimta të një kamioni të parkuar dhe ndërhynë kur drejtuesi i tij dorëzoi shtatë çanta me drogë te një automjet tjetër.

Të dy shtetasit shqiptarë u arrestuan dhe u transferuan në burgun e Bergamos, ndërkohë që hetimet vazhdojnë për të zbuluar rrjetin e organizuar të trafikut, i cili besohet se lidhet edhe me tregjet ndërkombëtare, përfshirë Amerikën Latine.

The post Po trafikonin 160 kg kokainë me kamion në Itali, në pranga dy shqiptarë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: