Java e 20-të e Superligës Shqiptare përfundoi mbrëmjen e së hënës me disa ndeshje vendimtare për renditjen e kampionatit. Në “Air Albania”, Vllaznia arriti një fitore të rëndësishme në transfertë, duke mundur Dinamo City-n me rezultatin 2-0. Shkodranët treguan më shumë konkretizëm në momente kyçe dhe fituan tre pikë që i ngjisin në vendin e dytë, dy pikë pas Egnatias kryesuese.
Më herët gjatë së hënës, në orën 17:00, Partizani triumfoi 2-1 ndaj Teutës në “Arenën e Demave”, duke rikthyer besimin pas një ecurie me rezultate të pasigurta. Ndërkohë, Vora dhe Tirana u ndalën në një barazim 1-1 në një përballje të luftuar deri në fund, zhvilluar në orën 13:30.
Java e 20-të nisi të dielën me dy sfida paralele në orën 17:00. Në Egnatia Arena, përballja mes Egnatias dhe AF Elbasanit përfundoi në barazim 2-2, pas një ndeshjeje me ritëm të lartë dhe emocione deri në fund. Në Vlorë, Flamurtari u rikthye te fitorja duke mundur Bylisin 3-0, një sukses kyç për garën e kampionatit.


The post Vllaznia triumfon 2-0 ndaj Dinamos në Tiranë, ngjitet në vendin e dytë appeared first on Euronews Albania.
