Kombëtarja është një ëndërr për çdo të ri që luan futboll e në fakt ajo kuqezi është me fat, pasi një numër i madh talentesh janë sot nëpër botë dhe punojnë fort, që një ditë të veshin atë fanellë.
Një prej tyre është Betim Hasanaj mbrojtësi 17-vjeçar që vetëm pak ditë më parë hodhi një hap të madh në karrierë, duke u transferuar në Superligën e Norvegjisë, te Lillestrøm. Me origjinë nga Istogu, por lindur në Lørenskog, Betimi nuk i shkëputi kurrë lidhjet me Kosovën e Shqipërinë, kjo falë të atit, Petrit Hasanaj.
Gazetari i Euronews Albania, Enriko Gabaj kontaktoi me Betimin menjëherë pasi nisi aventurën me ekipin e Lillestrøm në elitën e futbollit norvegjez, ku dhe zhvilloi një intervistë ekskluzive.
–Betim, sa i lumtur je për këtë rrugëtim me Lillestrøm?
Jam shumë i lumtur dhe krenar për këtë hap. Është një ambient shumë profesional dhe motivues, ku çdo ditë më shtyn të jap maksimumin tim.
–Cili është objektivi yt?
Objektivi im është të zhvillohem sa më shumë, të fitoj besimin e trajnerëve dhe të arrij të debutoj me ekipin e parë.
–Sa e vështirë është gara në futbollin norvegjez?
Është shumë e vështirë. Futbolli norvegjez kërkon fizik, disiplinë taktike dhe punë të madhe çdo ditë për të fituar vendin në ekip.
–Kush është personi që të motivon më tepër?
Motivimi im më i madh është familja. Babai im, Petrit është trajner dhe ai më ka stërvitur që i vogël dhe më ka sjellë në këtë nivel ku jam sot. Ai është mbështetja ime më e madhe. Po ashtu, nëna ime Minaveri dhe dy vëllezërit e mi, Burimi dhe Blerimi, janë gjithmonë pranë meje.
–Cila është ëndrra jote?
Ëndrra ime është të përfaqësoj një ditë përfaqësuesen shqiptare dhe të jap maksimumin tim për kombin.
Betimi ka qenë nën survejimin e kombëtares norvegjeze, por gjithmonë ka shprehur dëshirën për të përfaqësuar Shqipërinë.
The post Betim Hasanaj, 17-vjeçari që u transferua te Lillestrøm dhe ëndërron përfaqësuesen kuqezi appeared first on Euronews Albania.
