I ftuar në një lidhje direkte nga Kosova për “Now” me Esmeralda Mulaj, gazetari Rit Berisha analizoi zhvillimet e fundit rreth gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai theksoi se ka nevojë për një përfshirje më aktive të institucioneve të Kosovës për të dërguar mesazhe të qarta mbi karakterin e vërtetë të procesit dhe për të parandaluar tentativat e prokurorisë për të komprometuar rrëfimin historik të luftës çlirimtare.
Berisha shpjegoi se reagimet e liderëve politikë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, erdhën vonë, por megjithatë janë të rëndësishme për të treguar unitet dhe për të mbrojtur të vërtetën historike.
“U desh pesë vjet që politika e Kosovës të vinte sot në këtë ditë për ta kuptuar që në Hagë po gjykohej ushtria çlirimtare e Kosovës. Por pse ky ndryshim dhe a është i vonuar? Mund ta themi se është i vonuar, një përfshirje më aktive e institucioneve të sistemit të Kosovës do të dërgonte një mesazh më të vendosur për të lexuar më drejt gjithë këtë platformë dhe prapaskenë të tentativës së prokurorisë për të komprometuar lëvizjen më sublime çlirimtare të UÇK-së. Zoti Kurti pati qëndrime të qarta dhe të prera, ndërsa zonja Osmani ishte pjesë e protestës ditën e djeshme. Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për botën, se vetë presidenti i shtetit është në ballë të shqetësimit kolektiv, pa dallim politik apo kulturor, për të mos lejuar që prokuroria të përmbysë rrëfimin e vërtetë të lirisë së popullit të Kosovës dhe të shtetit të saj”, tha ai
Gazetari vuri në pah se ky gjyq është një moment kyç për të vlerësuar drejtësinë ndaj ish-komandantëve të UÇK-së dhe për të kuptuar se si tentativat për të delegjitimuar luftën çlirimtare të Kosovës kanë pasur ndikim edhe pas shpalljes së pavarësisë.
“Ky proces është tepër i rëndësishëm, një prej proceseve më të mëdha pas shpalljes së pavarësisë. Ai përfaqëson një moment historik për Kosovën, për rrëfimin e drejtë të luftës çlirimtare. Njëkohësisht, ky gjyq është një sfidë për të vërtetën dhe drejtësinë, ku uniteti kolektiv dhe pjesëmarrja e institucioneve janë të domosdoshme për të mbrojtur kontributin e komandantëve dhe të popullit të Kosovës”, tha gazetari.
The post Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gazetari: Liderët reaguan me vonesë, por… appeared first on Euronews Albania.
