Rreth 29% e ekonomisë në Maqedonia e Veriut vlerësohet të jetë ekonomi gri apo e pa deklaruar, duke shkaktuar humbje vjetore në buxhetin shtetëror prej rreth 500 milionë euro.
Qeveria ka vendosur masa për uljen e këtij niveli në 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në fund të vitit 2027. Plani parashikon shtimin e kontrolleve në terren, ndërsa bizneset do të informohen më gjerësisht për detyrimet ligjore dhe tatimore.
“Do të jemi të fortë dhe të drejtë, si ndaj atyre që shmangin obligimet, ashtu edhe ndaj atyre që përfitojnë nga krizat. Qëllimi ynë është ekonomi me rregull, treg me rregulla dhe shtet me dinjitet”, thotë Hristijan Mickoski, Kryeministër i RMV.
Ekonomia gri i kushton buxhetit rreth gjysmë miliardë euro në vit, mjete që mund të investohen në shëndetësi, arsim dhe infrastrukturë. Autoritetet paralajmërojnë bashkëpunim të zgjeruar institucional dhe zbatim të planit aksional për vitet 2026–2027.
“Me planin e rishikuar aksional synojmë uljen e ekonomisë joformale në 26% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në fund të vitit 2027”, thotë Gordana Dimitrieska-Koçoska, Ministre e Financave.
Sipas analizave, faktorët kryesorë që nxisin ekonominë gri janë mosbesimi në sistem, morali i ulët tatimor dhe korrupsioni.
“Çdo kompromis me ekonominë gri do të thotë rritje më e ulët ekonomike, më pak shërbime publike dhe cilësi më e ulët e jetës. Prandaj kemi nevojë për zgjidhje sistemore, konsistente dhe të qëndrueshme”, Besar Durmishi, Ministër i Ekonomisë.
Qeveria paralajmëron gjithashtu monitorim të çmimeve në treg për të parandaluar marzhet e pajustifikuara dhe abuzimet në dëm të qytetarëve.
The post Mickoski paralajmëron masa kundër shmangies së detyrimeve fiskale appeared first on Euronews Albania.
