Serie A në alarm, tri humbje tronditin Italinë në Champions

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Falë rezultateve mbresëlënëse të Inter në vitet e fundit, me dy finale të arritura edhe pse të humbura, Italia ishte mësuar të qëndronte në elitën e Europës deri në fund të shkurtit. Por këtë sezon, realiteti ka ndryshuar ndjeshëm.

Tre ndeshje play-off-i, të gjitha jashtë fushe, sollën tri humbje për Juventus, Atalanta dhe Interin: dhjetë gola të pësuar dhe vetëm tre të shënuar. Një bilanc që pak kush do ta kishte parashikuar.

Disfatat erdhën ndaj kundërshtarëve të fortë si Galatasaray dhe Borussia Dortmund, ndërsa sfida në Norvegji, në fushë sintetike dhe në kushte të vështira klimaterike, rezultoi po aq e komplikuar. Megjithatë, përtej faktorëve të jashtëm, paraqitjet e skuadrave italiane lanë shumë për të dëshiruar.

Renditja e koeficientëve e konfirmon rënien: Italia është tejkaluar nga Anglia, Gjermania, Spanja dhe Portugalia. Objektivi për një vend të pestë në Champions sezonin e ardhshëm duket pothuajse i paarritshëm.

Tani, gjithçka mbetet e hapur vetëm në letër. Të tre ekipet kanë nevojë për nga tre gola për të çuar sfidat të paktën në shtesë. Juventusi duket me më pak shanse, ndërsa Atalanta ka treguar ndër vite se di të befasojë. Sa i takon Interit, kalimi nga dominimi në kampionat te vështirësitë në Europë ka qenë i fortë, i rënduar edhe nga dëmtimi i Lautaro Martínez.

Brenda një jave, verdikti do të jetë i prerë: kualifikim ose eliminim. Italia rrezikon të dalë nga Europa më shpejt dhe më keq se sa ishte parashikuar.

The post Serie A në alarm, tri humbje tronditin Italinë në Champions appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: