Arrestimi i Belinda Ballukut është kërkuar pas fakteve dhe akuzave të reja që iu shtuan dosjes së saj në SPAK, që ka në qendër të hetimit tenderat e rrugëve. Tre prokurorët Klodian Braho, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko sollën në mbledhjen e Këshillit të Mandatave fakte të reja që kanë të bëjnë me kërcënimin, intimidimin dhe joshjen e dëshmitarëve dhe të pandehurve të çështjes, por edhe rrethanat e reja të të pandehurës Balluku në raport me situatën e saj penale.
Argumentimi i prokurorisë u mbështet në dy shtylla kryesore.
Së pari, prokurorët e vunë theksin në kërcënimin e dëshmitarëve nga persona që Dritan Prençi i konsideroi nën hetim për lidhje me krimin e organizuar. Duke cituar një zëdhënës të grupit parlamentar të Partisë Demokratike që e ka regjistruar të plotë raportimin në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, prokurori u shpreh se “Përvec personave të fortë, të dyshuar të përfshirë në krim, por që po hetohet; intimidimi ka ndodhur edhe nga zyrtar publikë, kabineti i ministres, që ka kërcenuar apo tentuar t’i korruptojë dëshmitarët. Nuk japim më shume të dhëna sepse e kemi nën hetim dhe mbrohet nga sekreti hetimor”.
Këshilli i Mandateve/ SPAK nxjerr sms, të fortët kërcënuan dëshmitarët për Ballukun
Po ashtu në datën 20 nëntor vetë Belinda Balluku është pohuar nga prokurori, ka kërcënuar dy dëshmitare dhe u ka kërkuar të ndryshojnë dëshminë. Pas daljes nga SPAK, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se presionet ndaj dëshmitarëve kanë qenë të ndryshme, që nga frikësimi për t’i hequr nga puna në shtet familjarët, deri tek oferta në shuma të mëdha parash.
“Prokuroria konfirmoi se nuk bëhet fjalë vetëm për të pandehur që janë kërcënuar, por edhe për dëshmitarë që do thirren nga SPAK e për shkak të rolit të tyre në procedura dhe për shkak të atyre që do dëshmojnë, janë intimiduar dhe intimiduar në ato dy forma që thashë më sipër, pra përmes të fortëve që janë nën hetim dhe persona pjesë e kabinetit ë zv/kryeministres, duke i orfuar para që të mbyllin gojën apo me shkarkim nga detyra”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Së dyti, rëndimi i situatës penale. Sipas SPAK, në momentin kur u kërkua masa e parë ndaj Ballukut, ajo rrezikonte deri në 10 vite burg. Sot, me akuzat dhe provat e reja, panorama ka ndryshuar. Siç citoi Gazment Bardhi deklaratën e prokurorisë: “Në momentin që ndaj zonjës Balluku është kërkuar marrja e masave ndaluese dhe shtrënguese në Gjykatën e shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ajo rrezikonte një dënim që shkonte maksimumi deri në 10 vite burg, kurse tani nëse provohen akuzat e ngritura nga prokuroria, zonja Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Pra jemi në një situatë të rënduar të krimeve të kryera prej saj”.
Reuters për Belinda Ballukun: Dosja e korrupsionit në zemër të qeverisë shqiptare!
Rritja e dënimit maksimal të mundshëm nga 10 në 35 vite burg është përdorur nga prokurorët si argument për ashpërsimin e masës së sigurimit.
Socialistët e kishin shtyrë mbledhjen e Këshillit të Mandateve për thuajse dy muaj, me pretekstet e vënies në lëvizje të Gjykatën Kushtetuese dhe duke pritur vendimin për shkak të pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra si zv.kryeministre.
Mbledhja u thirr nga kryeparlamentari Niko Peleshi pas disa mesazheve nga përfaqësues të Bashkimit Europian të cilët kërkuan që Këshilli i Mandateve të mblidhet pa vonesa, ndërsa përfaqësuesi i PE, David McAllister e quajti çështjen Balluku një “test për Shqipërinë”.
Presione punonjëseve të ministrisë/ Pse e kërkon SPAK arrestimin e Ballukut
Sipas socialistëve, kërkesa për arrestimin e Ballukut nuk ishte e justifikuar dhe konsiderohej më shumë një akt “inatçor” i prokurorëve të cilët, kur Balluku u mor e pandehur u kufizuan thjesht në masën “detyrim paraqitje”. Edhe pezullimi, edhe bllokimi i pasaportës më pas ishin dy masa për cilat e pandehura Belinda Balluku i pranoi në heshtje, pa u kundërpërgjigjur me sulme dhe akuza personale.
Për të gjitha këto, vendimi u zvarrit në përpjekje për të djegur afatet parlamentare që skadojnë në datën 16 mars. Jo më kot, në një reagim që pati në 21 dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri Rama shprehej se “Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme…”.
Deri më tani, Partia Socialiste nuk ka pasur një Jo ose një Po të qartë për kërkesën e SPAK, pavarësisht komenteve të shumta që janë bërë për hetimin e Ballukut. Në reagimin e tij të parë në 16 Dhjetor, Rama sërish ka mbajtur një qëndrim as mish as peshk, duke u shprehur se: “Ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”.
Edhe pse janë ditët e fundit, për arrestimin e Belinda Ballukut ende nuk është artikuluar asnjë qëndrim i qartë pro apo kundër arrestimit të saj nga SPAK. Në dalje të Këshillit të Mandateve, Taulant Balla u shpreh se ky është një vendim që do të merret nga grupi parlamentar. “Siç e dini nuk e jep autorizimin këshilli por autorizimin ejep seanca plenare” u tha Balla gazetarëve që kërkonin një qëndrim të qartë nga Partia Socialiste.
Politikisht, mazhoranca gjendet përballë një dileme strategjike. Nëse voton pro arrestimit, sakrifikon një figurë kyçe të qeverisë duke i hapur rrugë gjykimit për një dosje ku del qartë se porositë për tenderat janë dhënë nga kryeministri Edi Rama. Por në këtë mënyrë, mazhoranca ruan koherencën me diskursin e mbështetjes së Reformës në Drejtësi dhe partneritetin me partnerët perëndimorë, të cilët kërkojnë të mos ndërhyhet në luftën e SPAK kundër korrupsionit.
Por nëse voton kundër, atëherë PS ka përmbysur të gjithë retorikën e viteve të fundit për reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit apo integrimin në Bashkimin Europian, që janë në thelb të retorikës së qëndrimit të Ramës në pushtet. Prandaj seanca plenare nuk është vetëm një votë për fatin e Ballukut, por edhe një sprovë për kredibilitetin e mazhorancës socialiste, raportin e saj me drejtësinë dhe për sinjalin që do t’i dërgojë Brukselit./Lapsi.al
The post Kërcënime me “të fortë”, prova të reja për arrestimin e Belinda Ballukut appeared first on Lapsi.al.
