Në një lidhje live për Euronews Albania me Ilir Kazaferin, përfaqësuesi i OVL-UÇK, Xhavit Jashari, tha se po krijohet një peticion kombëtar online në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Jasharit, krerëve të UÇK-së po u bëhet një padrejtësi e madhe dhe, si organizata që kanë dalë nga lufta, ai theksoi se nuk do të ndalojnë vrazhdën e aktiviteteve të tyre për të kundërshtuar këtë padrejtësi.
“Nuk do të ndalojmë të kundërshtojmë këtë gjykatë, e cila është e njëanshme, politike dhe, duke pasur parasysh se si është krijuar nga raporti i Dikmartit, kemi krijuar një peticion ku kemi mbledhur mbi 230 mijë nënshkrime dhe i kemi dërguar në Strasburg për të shqyrtuar këto shpifje të Dikmartit, e cila asnjë gjë e tillë nuk ka ndodhur. Duke parë gjithë ecurinë dhe synimet e Prokurorisë në bashkëpunim me Rusinë dhe Serbinë për të goditur luftën e UÇK-së, ju e dini që kemi organizuar shumë aktivitete për të kërkuar që të ndërpriten padrejtësitë ndaj krerëve të UÇK-së. Me përfundim të këtij procesi kemi një peticion ku, nga sot, ju është dhënë mundësia qytetarëve, pa dallim politik, që të nënshkruajnë peticionin për vlerën tonë të përbashkët. Dhe u bëjë thirrje të gjithë shqiptarëve të firmosin peticionin për të liruar krerët tanë të pafajshëm.
Kjo kërkesë e Prokurorisë që t’u jepet dënim krerëve të UÇK-së me 45 vite burg për secilin është një peshë e rëndë që nuk mund ta mbajë Kosova, duke pasur parasysh që e gjithë kjo aktakuzë është ngritur në bashkëpunim me Prokurorinë e Serbisë dhe me njerëz të shitur.
Shpresojmë që verdikti final të jetë lirues dhe që të gjitha pretendimet e kësaj aktakuze nuk kanë arritur të argumentohen dhe të provohen. Gjykata Speciale do t’i hedhë poshtë dhe krerët e UÇK-së të lirohen, do të dalin të pafajshëm, do të kthehen në familjet e tyre dhe, mbi të gjitha, do t’u hiqet kjo re e zezë që është vendosur padrejtësisht mbi Kosovën”, u shpreh Jashari.
The post Përfaqësuesi i OVL-UÇK: Të kërkojmë me çdo kusht lirimin e krerëve, firmosni peticionin online appeared first on Euronews Albania.
