Një diskutim në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për flamujt po bën xhiron e rrjetit. Kryeministri Hristijan Mickoski i kërkoi deputetit të BDI-së, Riad Shaqiri që krahas karficës me flamurin shqiptar që kishte në xhaketë në seancat e tjera të mbajë edhe flamurin shtetëror maqedonas.
Sipas tij, Shaqiri duhet të mbajë edhe flamurin maqedonas pasi paguhet nga qytetarët maqedonas.
“Shpresoj që herën e radhës kur të vini në punë në Kuvendin e Maqedonisë, përkrah flamurit shqiptar, etni të cilës i takoni, ta mbani edhe atë maqedonas, pasi nga ky shtet merrni rrogë dhe nga këta qytetarë e merrni atë”, tha ai.
Shaqiri pasi mori fjalën theksoi se është krenar se është shqiptar dhe se flamurin shqiptar e kishte dhuratë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ndër të tjera ai theksoi se nëse Mickoski do t’i dhurojë flamurin maqedonas do ta mbajë në xhaketë.
“Ma ka dhënë kryeministri i Shqipërisë. Kur të ma jepni ju, do ta mbaj”, tha ai.
Pas kësaj replike, Mickoski i dhuroi në sallë një flamur të Maqedonisë së Veriut. Shaqiri e falenderoi dhe më pas e vendosi flamurin në xhaketë. Ngjarja ka nxitur reagime në opinion, duke rihapur debatin mbi simbolikën shtetërore dhe përfaqësimin identitar në institucionet e vendit.
The post Mickoski i kërkon deputetit të BDI-së të vendosë flamurin e RMV krahas atij shqiptar, i dhuron simbolin shtetëror appeared first on Euronews Albania.
