Çmimi i naftës ka nisur fluturimin e radhës në Shqipëri, duke shtuar një barrë tjetër mbi shpinën e lodhur të shqiptarëve. Në disa pika karburanti në Tiranë dhe përgjatë autostradës, çmimi është rritur me 16 lekë për litër, duke kaluar nga 182 lekë që ishte të premten më 6 mars, në 198 lekë për litër sot.
Një vëzhgim në terren i Monitor tregon se rritja është reflektuar në disa pika të kompanive të mëdha të tregut ku nafta po shitet me 198 lekë për litër, ndërsa benzina me 188 lekë për litër. Kjo shtesë e re çmimi është ndjerë në veçanti brenda kryeqytetit, ku ka trafik të rënduar të qarkullimit të mjeteve, por edhe se tregtarët e karburanteve e ndërrojnë me shpejtësi marshin.




Shoqata e Hidrokarbureve ka shpjeguar se tregu i pakicës thjesht po reflekton lëvizjet e bursave ndërkombëtare që janë ndikuar nga lufta që nisi Izraeli në Lindjen e Mesme.
Çfarë po ndodh në tregjet ndërkombëtare

Fenomeni nuk është vetëm shqiptar. Edhe në Shtetet e Bashkuara, ku ekonomia është shumë më e madhe dhe prodhimi i naftës shumë më i lartë, çmimet janë rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Të premten, nafta në tregjet ndërkombëtare arriti në 88.9 dollarë për fuçi, ndërsa të dielën në mbrëmje u ngjit në 103 dollarë për fuçi. Por, pas një deklarate të presidentit amerikan Donald Trump për ndërprerjen e sulmeve në Lindjen e Mesme, çmimi në bursë zbriti rreth 90 dollarë për fuçi. Për krahasim, përpara përshkallëzimit të tensioneve në rajon, nafta tregtohej rreth 65 dollarë për fuçi.
Sipas të dhënave të AAA Motor Club, çmimi mesatar i benzinës në SHBA ka arritur në 3.54 dollarë për gallon, një rritje prej rreth 19% që nga momenti kur tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit u përshkallëzuan.
Arsyeja është e thjeshtë: tregu i naftës është global. Edhe pse SHBA është prodhuesi më i madh në botë, çmimi përcaktohet nga oferta dhe kërkesa ndërkombëtare. Kur ka tensione në rajonin e Gjirit Persik, një nga qendrat kryesore të prodhimit dhe transportit të naftës në botë, çmimi rritet për çdo fuçi që qarkullon në treg.
Ekspertët e energjisë shpjegojnë se rreth 50% e çmimit të një litri karburanti lidhet drejtpërdrejt me çmimin e naftës së papërpunuar, ndërsa pjesa tjetër vjen nga rafinimi, transporti dhe taksat.
Pse shqiptarët e ndjejnë më shumë

Në Shqipëri, ndërkohë, rritja filloi që më 4 mars, kur çmimi u rrit fillimisht me 4 lekë, nga 175 në 179 lekë për litër. Dy ditë më vonë, më 6 mars, çmimi u rrit sërish me 3 lekë, duke arritur në 182 lekë për litër.
është e vërtetë se ekonomitë më të mëdha në botë nuk i shpëtojnë dot logjikës së tregut global të energjisë, por po aq e vërtetë është se në Shqipëri, pagat janë shumë më të ulëta dhe transporti mbështetet pothuajse tërësisht te karburantet. Për pasojë çdo rritje e çmimit ndjehet shumë më fort në xhepat e qytetarëve.

Për ta kuptuar më mirë shikoni tabelën e renditjes së vendeve sipas çmimit më të lartë të naftës në botë.
Sipas të dhënave të përditësuara më së fundi në datën 2 mars të Global Petrol Prices, kur ende çmimet nuk ishin rritur, Shqipëria rezulton ndër vendet me çmime relativisht të larta të benzinës në botë. Në tabelën krahasuese të çmimeve globale, Shqipëria renditet në vendin e 11 në botë, me rreth 2.087 dollarë për litër, duke u pozicionuar mes Finlandës (2.066 dollarë për litër) dhe Zvicrës (2.159 dollarë për litër).
Ky pozicion e vendos Shqipërinë në të njëjtin nivel çmimesh me disa nga ekonomitë më të zhvilluara të Europës dhe të botës.
Renditja është veçanërisht domethënëse nëse merret parasysh diferenca e madhe në të ardhura mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera që ndodhen pranë saj në tabelë. Finlanda dhe Zvicra janë ndër vendet me standard jetese shumë të lartë dhe paga mesatare disa herë më të mëdha se ato në Shqipëri, ndërsa çmimi i karburantit rezulton pothuajse në të njëjtin nivel.
Të dhënat theksojnë edhe një realitet të njohur të tregut global të energjisë: të gjitha vendet blejnë naftë me çmime të ngjashme në tregjet ndërkombëtare, por çmimi final që paguhet në pompë përcaktohet kryesisht nga taksat dhe politikat fiskale të shteteve.
Në Shqipëri, nafta është e ngarkuar me pesë taksa shtetërore, si: 1) akciza, 2) taksa e qarkullimit, 3) taksë karboni, 4) TVSH dhe 5) taksë rilicencimi. Këtyre u shtohet edhe dy taksa tjetër që paguhet nëpërmjet koncesioneve, si 1) skanimi dhe 3) pompat.
Për këtë arsye, edhe pse Shqipëria nuk është një vend i pasur dhe nuk prodhon naftë në shkallë të madhe për eksport, çmimi i karburantit për konsumatorin shqiptar mbetet në nivelin e disa prej vendeve më të zhvilluara të botës. Pikërisht për këtë, Shqipëria është vendi i parë në Rajon, i pesti në Europë dhe i shtati në botë për çmimin më të lartë të naftës.
Me pak fjalë, falë taksave që ka vendosur qeveria, çmimi i karburanteve merr një shtysë të fuqishme dhe tani po merr arratinë. Shqiptarët si përherë: ndjekin nga pas me portofol në dorë./Lapsi.al
The post Fluturon çmimi i naftës/ Pse shqiptarët e ndjejnë më shumë appeared first on Lapsi.al.
