Studimi: Iriqët mund të shpëtojnë nga makinat falë ultratingujve

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Megjithë gjembat e tyre të jashtëm, iriqët janë jashtëzakonisht të prekshëm dhe popullatat e tyre në Evropë kanë rënë ndjeshëm me 30% gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2024, ato u shpallën “pothuajse të kërcënuara” nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN). Fragmentimi i habitatit për shkak të zhvillimit urban, rrugëve dhe bujqësisë i detyron ata të kalojnë rrugët, duke rritur rrezikun nga aksidentet.

Një studim i ri nga Universiteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar tregon se iriqët mund të dëgjojnë ultratinguj me frekuencë të lartë, një zbulim që mund të përdoret për t’i larguar ata nga rrugët. Aksidentet rrugore mund të vrasin deri në një të tretën e iriqëve lokalë, por pajisjet me ultratinguj në automjete mund të reduktojnë ndjeshëm këtë rrezik, sipas studimit të botuar më 11 mars në revistën Biology Letters.

Eksperimentet përfshinë 20 iriqë të rehabilituar në Danimarkë, ku u përdor një altoparlant për të luajtur shpërthime të shkurtra tingujsh. Elektroda të vendosura tek kafshët regjistruan aktivitetin e trurit, duke treguar ndjeshmëri maksimale në frekuencën 40 kHz – mbi kufirin e dëgjimit të njeriut (20 kHz).

Skanimet mikro-CT të një iriqi të ngordhur zbuluan se struktura kockore e veshit është e ngjashme me atë të lakuriqëve të natës, të aftë për ekolokacion, duke i lejuar ata të transmetojnë dhe të perceptojnë tinguj tejzanor. Kjo sugjeron se mund të krijohen pajisje tejzanore të dëgjueshme vetëm nga iriqët, por jo nga njerëzit apo kafshët shtëpiake – qentë dëgjojnë deri në 45 kHz dhe macet deri në 65 kHz.

Përveç përdorimit në automjete, këto pajisje mund të përdoren edhe për të mbrojtur iriqët nga kërcënime të tjera, si kositëset robotike të barit. Studiuesit po vazhdojnë të hetojnë nëse iriqët përdorin ultratinguj për komunikim ose për të gjetur prenë.

Dr. Sophie Lund Rasmussen, studiuese kryesore, thotë se ky zbulim ofron një mundësi të re për të zvogëluar kërcënimin e trafikut rrugor ndaj iriqëve evropianë në rënie dhe mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në ruajtjen e tyre.

The post Studimi: Iriqët mund të shpëtojnë nga makinat falë ultratingujve appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: