Një thes të zi, siç thanë me “gënjeshtrat e Albin Kurtit”, rinia e Partisë Demokratike të Kosovës e vendosi para objektit të Qeverisë së Kosovës.
Partia opozitare vazhdoi kritikat ndaj kryeministrit Albin Kurti, siç thanë, për legalizimin e dokumenteve të Serbisë, pas kompromisit në lidhje me zbatimin e Ligjit për të huajt dhe atij për automjete.
Para se të zbrazin një thes me lajme të deklaratave të kryeministrit Albin Kurti ndër vite, duke u mburrur se në Kosovë nuk ka më struktura paralele të Serbisë, kryetarja e rinisë së kësaj partie, njëherësh deputetja, Arbnora Salihu, tha se thesi i zi shpërfaq qasjen manipulative të Kurtit në emër të patriotizmit, ndërkaq veprimet e tij janë në dëm të interesit shtetëror, shkruan KosovaPress.
“E kemi mbushur këtë thes me disa gënjeshtrat e Albin Kurtit, i cili deklaronte se i ka çrrënjosur strukturat paralele në pjesën veriore të vendit. Ky thes e shpërfaq qasjen e tij manipulative me fjalë të mëdha në emër të patriotizmit dhe me vepra në dëm të interesit shtetëror. Për vite me radhë Albin Kurti ka ndërtuar një narrativë të rreme. Ky aksion është një mesazh i qartë se e vërteta nuk mund të mbulohet me propaganda dhe dështimi nuk mund të fshihet pas fjalëve boshe dhe të pakuptimta”, tha ajo.
Sipas saj, vendimi i Kurtit për legalizimin e përdorimit të dokumenteve të Serbisë nga personat që nuk i posedojnë ato të Kosovës është dorëzim përballë bandave kriminale dhe legalizim i strukturave që për dekada kanë minuar shtetin e Kosovës.
“Në prill të vitit 2022, Kurti premtonte se nuk do të kishte ‘asnjë gram tolerancë’ ndaj strukturave ilegale. Në qershor 2023, ai deklaronte se ‘Kosova nuk do të lejojë struktura paralele në veri’ dhe madje kërcënonte se ata do të shkonin ‘ose në Serbi, ose në burg’. Në janar 2025, ministrat e tij mburreshin se ‘epoka e komunave paralele ka përfunduar’. Ndërsa, në janar të këtij viti, në Davos, Albin Kurti thoshte se ‘në Kosovë nuk ka më struktura paralele të Serbisë’. Por, para dy ditësh, më 14 mars 2026, ai bëri të kundërtën, lejoi përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia. Ky vendim është dorëzim përballë bandave kriminale, është legalizim i strukturave që për dekada kanë minuar shtetin e Kosovës”, shtoi Salihu.
Madje, siç tha ajo, ky vendim i kryeministrit Kurti është tradhti ndaj shtetit dhe qytetarëve. Deputetja e PDK-së përmendi edhe mosgjetjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit, derisa shtoi se Kurti arriti, siç tha, gjuhë të përbashkët me strukturat paralele dhe Serbinë.
“Ky vendim i Albin Kurtit është tradhti ndaj shtetit dhe qytetarëve. Është paradoksale dhe shqetësuese që një kryeministër, i cili nuk arriti të gjejë konsensus politik për zgjedhjen e presidentit, sot gjen gjuhë të përbashkët me strukturat paralele dhe me Serbinë. Prandaj, nga këtu i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ndalë politikat e dyfishta dhe të mos i mashtrojë më qytetarët tanë”, shtoi deputetja Salihu.
Kosova dhe BE arrijnë pajtim për ligjin për të huajt me disa masa lehtësuese për serbët më 14 mars. Aty Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj.
The post PDK vendos një thes të zi “me gënjeshtrat e Albin Kurtit” para Qeverisë appeared first on Euronews Albania.
