Pengmarrje dhe dhunë për para me fajde, një i arrestuar, katër në kërkim në Prizren

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokuroria Themelore në Prizren kanë zhvilluar një operacion policor në Prizren kundër veprimtarive të dyshuara të fajdesë, ku është arrestuar një person ndërsa katër të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas një komunikate të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, operacioni u realizua sot nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas hetimeve intensive ndaj pesë personave të dyshuar me inicialet B.K., GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.

Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale “Fajdeja”, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrimi”, të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Ata dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar një person të paguajë shuma të mëdha parash si interes për fajde, duke përdorur presion dhe forma të ndryshme dhune.

Sipas dyshimeve të deritanishme, në disa raste personi është privuar edhe nga liria me qëllim që të detyrohej të paguante kamata të larta.

Dëmi i shkaktuar ndaj këtij të fundit, sipas vlerësimeve fillestare, arrin rreth 700 mijë euro, ndërsa të dyshuarit dyshohet se kanë kërkuar edhe rreth 450 mijë euro shtesë në emër të interesit të fajdesë.

Gjatë operacionit janë kryer kontrolle në pesë lokacione në qytetin e Prizrenit, ku është arrestuar një person i dyshuar, ndërsa katër persona të tjerë ndodhen në kërkim policor.

Me vendim të prokurorit të shtetit nga Prokuroria Themelore në Prizren, ndaj të arrestuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

The post Pengmarrje dhe dhunë për para me fajde, një i arrestuar, katër në kërkim në Prizren appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: