Teuta-Partizani, ndeshja e sezonit: Dobi kërkon “biletën” për Final Four

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Triumfi ndaj Dinamos ka rritur entuziazmin te Teuta, që kërkon suksesin në ndeshjen e fundit për “Final Four”, ndaj Partizanit.

Atmosfera në shkallët e stadiumit “Niko Dovana” pritet të jetë e zjarrtë, ndërsa “Djemtë e Detit” janë të përgatitur për një sfidë të madhe. Trajneri Enkeleid Dobi do të ketë grupin pothuajse të plotë, përveç kapitenit Kotobelli dhe sulmuesit Rooney Eva.

Partizani mbetet një kundërshtar i rrezikshëm, por kjo është një mundësi e fundit për të sulmuar vendin e katërt, që çon në garën për titull dhe hap derën e Europës. Ndeshja do të jetë një provë e vështirë, por Teuta ka treguar rritje konstante në ndeshjet e fundit.

Në përgatitjet e fundit, Dobi ka kërkuar vigjilencë dhe shpirt luftarak nga lojtarët:

“Nëse luftojmë dhe sakrifikojmë të gjithë bashkë si me Dinamon, askush nuk mund të na ndal,” mësohet t’u ketë thënë tekniku.

Për të siguruar tri pikët, ekipi duhet të funksionojë si një orkestër, duke shfrytëzuar mbështetjen e tifozëve, të cilët priten të jenë të shumtë.

Ndeshja Teuta–Partizani zhvillohet këtë të shtunë, duke nisur nga ora 18:00, dhe prezenca e tifozëve është thelbësore për të mbështetur ekipin në këtë sfidë kaq kruciale.

The post Teuta-Partizani, ndeshja e sezonit: Dobi kërkon “biletën” për Final Four appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: