Në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën u zhvillua një seancë dëgjimore me artistë dhe pedagogë të Universiteti i Arteve, të cilët ngritën shqetësime lidhur me pengesat për avancimin në karrierën artistike dhe akademike.
Mes të pranishmëve ishin tenori Josif Gjipali dhe këngëtarja Manjola Nallbani, të cilët kërkuan zgjidhje ligjore dhe financiare për njohjen e titujve akademikë në universitetin artistik.
Sipas tyre, edhe pse në vitin 2021 Universiteti i Arteve fitoi status të veçantë si universitet me profil artistik, ndërsa në vitin 2024 Senati Akademik miratoi promovimin e disa pedagogëve me tituj si “Profesor i Asociuar në Arte”, këto tituj nuk po njihen zyrtarisht pasi nuk regjistrohen në sistemet shtetërore.
Gjipali deklaroi se universiteti ka specifika të ndryshme nga institucionet e tjera të arsimit të lartë, pasi mësimdhënia zhvillohet kryesisht individualisht dhe kostot janë shumë më të larta.
“Sot ne kemi arritur në pikën që nga mosplotësimi me tituj akademikë rrezikojnë fakultetet që do mbyllen, ka disa vite që bëhen manovra që të mbahen në këmbë. Titujt akademikë që gëzojnë kolegët tanë të nderuar janë marrë me të njëjtën procedurë. Titulli akademik është titull që lidhet me karrierën mësimore, ndërsa doktoratura janë në fushë tjetër’, tha Josif Gjipali.
Ndërkohë Manjola Nallbani theksoi se doktoratura nuk duhet të jetë kriteri i vetëm për të dhënë mësim, por titujt duhet të bazohen edhe te karriera.
“Akademia ka qenë shkollë shumë e fortë, pedagogët tanë që kanë bërë historinë e muzikës i kanë marrë titujt në bazë të karrierës, se kështu duhet të funksionojë. Ti si artist çfarë kontributi ke në skenë, studenti duhet të dijë me kë bën mësim, me një emër të madh apo te dikush që nuk e ka parë kurrë në skenë por që ka bërë punë studimore. Për vite të tëra ky proces duhet stopuar, nuk kishim mundësi të ndiqnim doktoraturat, jo s’e nuk donim. Unë kam shkuar edhe në universitete të tjera dhe kishte stopuar dhënia e doktoraturës.
Vitet iknin, ne kemi vazhduar të bëjmë karrierën tonë dhe siç e thashë këto tituj, nuk po pretendojmë të funksionojë në këtë formë. Kushdo që do të bëjë doktoraturën mund të funksionojë, por jo të jetë kriteri që përcakton nëse ne duhet të japim apo jo mësim në universitetin e arteve”, theksoi Manjola Nallbani.
Pedagogët paraqitën edhe tre kërkesa konkrete: ndryshimin e udhëzimit për regjistrimin shtetëror të gradave shkencore dhe titujve akademikë; ndryshimin e VKM nr. 748 për përfshirjen e titujve “Profesor në Arte” dhe “Profesor i Asociuar në Arte” në skemën e pagave; përfshirjen e efekteve financiare të këtyre titujve në buxhetin e shtetit dhe trajtim të barabartë për personelin akademik të promovuar.
The post Artistët e Universitetit të Arteve kërkojnë njohjen e titujve akademikë: Rrezikohen fakultetet appeared first on Euronews Albania.
