Ligjvënësit e Bashkimit Europian dhe shtetet anëtare arritën në orët e para të së mërkurës një marrëveshje për zbatimin e paktit tregtar me Amerikën, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar tarifa të reja në rast të mosmiratimit deri më 4 korrik.
Marrëveshja mes Brukselit dhe Uashingtonit ishte arritur që në korrik të vitit të kaluar dhe parashikon vendosjen e taksave prej 15 për qind për shumicën e mallrave evropiane. Megjithatë, teksti përfundimtar duhej ende të ratifikohej nga BE-ja, gjë që kishte shkaktuar pakënaqësi nga ana e Trump.
Pas negociatave që zgjatën deri vonë gjatë natës, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe shteteve anëtare arritën kompromisin final disa orë pas mesnatës.
“Sot, Bashkimi Evropian përmbush angazhimet e tij”, deklaroi ministri i energjisë, tregtisë dhe industrisë i Cyprus, Michael Damianos, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së.
Ai theksoi se ruajtja e një partneriteti transatlantik të qëndrueshëm dhe të balancuar është në interes të të dyja palëve.
Ratifikimi i marrëveshjes e vendos BE-në në rrugën e duhur për të respektuar afatin e vendosur nga Trump për marrëveshjen e nënshkruar në Turnberry të Skocisë mes tij dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Trump kishte paralajmëruar më herët se BE-ja mund të përballej me tarifa “shumë më të larta”, duke përfshirë rritjen e tarifave për makinat dhe kamionët evropianë nga 15 në 25 për qind.
Përplasjet tregtare të muajve të fundit, përfshirë tarifat mbi çelikun, aluminin dhe pjesët e automjeteve, kanë shtyrë BE-në të kërkojë partnerë të rinj tregtarë në nivel global. Megjithatë, Brukseli synon të ruajë marrëdhënien ekonomike me SHBA-në, e cila vlerësohet në rreth 1.6 trilionë euro dhe mbetet partneriteti më i madh tregtar i bllokut.
The post BE miraton paktin tregtar me SHBA-në, Trump kërcënoi me tarifa të reja deri më 4 korrik appeared first on Euronews Albania.
