Pas tre sezonesh pritjeje, Cristiano Ronaldo më në fund ngriti trofeun e Saudi Pro League me Al Nassr. Dhe ai vendosi firmën e tij në ndeshjen vendimtare të fituar 4-1 kundër Damac FC duke realizuar një dopietë që e çoi në kuotën e 973 golave në karrierë (991 duke përfshirë edhe rrjetat e realizuara me ekipet e moshave të kombëtares portugeze). Por përveç kupës, lotëve të gëzimit dhe festimit ikonik “siuuu”, ajo që shënjoi mbrëmjen ishte një gjest me duar gjatë momentit kur po merrte medaljen dhe trofeun në skenë.
Sipas disave bëhej fjalë për mimikën klasike “money gesture” (pra gishti i madh dhe treguesi që fërkohen si për të treguar para) e lidhur me referimin direkt ndaj fushës së blertë. Sipas të tjerëve, ai e kishte me “luanët e tastierës” ose me një pjesë të shtypit (prej nga vjen gjesti i trokitjes me gisht ose mbajtjes së një stilolapsi) që ishte paragjykues kundër tij dhe skuadrës.
Në të dy rastet koncepti është i njëjtë: ju kam mbyllur gojën të gjithëve me rezultate. Një qëndrim që përmbledh në mënyrë perfekte CR7: konkurrues, krenar dhe që nuk tërhiqet kurrë pas. Edhe në fitore nuk humbet rastin për të dërguar një mesazh.
Gjesti i CR7 gjatë ceremonisë së Saudi Pro League
Cili është kuptimi i atij gjesti mjaft të dukshëm duke parë momentin dhe kontekstin? Diçka si: thoshit se nuk do ta fitonim titullin, ndërsa tani ja ku është në duart e mia… nuk e kemi blerë, por e kemi fituar në fushë. Një interpretim tjetër shumë i ngjashëm i referohet drejtpërdrejt “haters”-ave, një pjese të mediave që kishin drejtuar kritika të ashpra (dhe kishin ushqyer dyshime) ndaj klubit dhe vetë kampionit portugez. Kështu shpjegohet edhe ajo shprehje habie tallëse teksa mbante kupën të mbështetur. Sikur të thoshte: po si, nuk kishit thënë se nuk e meritonim ta fitonim? Një moment plot kuptim në një mbrëmje që duhej të ishte vetëm festë.
Ishte si të hiqte një gur nga këpuca, duke qenë se në orët para javës së fundit kishin qarkulluar zëra të fortë për një tentativë të pretenduar të Al Hilal për të “stimuluar” ekonomikisht Damac FC që të ndalte Al Nassr. Ronaldo, që gjithmonë e ka jetuar futbollin si një sfidë personale, u përgjigj në skenë me gjuhën që të gjithë kuptojnë. Për tifozët e tij ishte një moment epik hakmarrjeje. Ai buzëqesh dhe feston, ndërsa rivalëve (të drejtuar nga Simone Inzaghi) u mbetet shija e hidhur e një titulli të humbur pa u mposhtur asnjëherë në kampionat.
Konteksti i triumfit në javën e fundit
Fitorja në javën e fundit shënoi edhe titullin e parë të kampionatit për portugezin në Saudi Arabia, pas vitesh aludimesh: shumë kishin thënë se Cristiano Ronaldo kishte shkuar atje vetëm për para dhe se nuk do të fitonte asgjë të rëndësishme. Por në moshën 41-vjeçare, CR7 i hodhi poshtë të gjitha dyshimet ndaj tij. Ai qau nga lumturia, puthi stemën e skuadrës dhe festoi me shokët dhe familjen. E shijoi plotësisht të gjithë mbrëmjen: që nga nxehja, gjatë së cilës shpesh kryqëzonte shikimin me partneren (dhe bashkëshorten e ardhshme), Georgina Rodríguez, e cila e ndiqte nga tribuna, deri te festimet përfundimtare.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë ishte dukshëm i emocionuar sepse ishte triumfi i parë në kampionatin arab, pas atyre të arritur në Europë mes Premier League, La Liga dhe Serie A. Ai e vulosi me një dopietë në ndeshjen e fundit, përfshirë edhe një goditje dënimi spektakolare.
The post Cristiano Ronaldo triumf edhe në Arabinë Saudite: gjest provokues kundër armiqve appeared first on Euronews Albania.
