Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 09:30 në rrugën Cara Dusana dhe Knicaninova në lagjen Dorcol në qendër të Beogradit, raporton agjencia serbe Telegraf.
Një tramvaj doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë, duke e lënë kabinën e automjetit të shtypur dhe duke shkaktuar rënien e pjesëve të ndërtesës në trotuar.
Tramvaji i linjës 10 doli nga shinat në rrethana ende të paqarta dhe kaloi në mënyrë të pakontrollueshme nëpër një kryqëzim, ku më pas u përplas drejt e në ndërtesën në cep të dy rrugëve.
Sipas informacioneve të fundit, dhjetë pasagjerë në tramvaj u plagosën, duke pësuar prerje dhe dëmtime fizike.
Dy gra, të cilat ishin brenda ndërtesës, janë plagosur lehtë, por po trajtohen edhe për shkak të gjendjes së shokut.
Policia po siguron vendin e ngjarjes dhe po kryen hetime. Hetimi do të përcaktojë shkakun e saktë të këtij aksidenti të rëndë – nëse ishte një defekt teknik që preku automjetin, një problem me shinat e tramvajit apo faktori njerëzor.
The post Aksident i rëndë në Beograd, tramvaji del nga shinat dhe përplaset me ndërtesën! Plagosen disa persona appeared first on Euronews Albania.
