Më 7 qershor në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në një lidhje live për Euronews Albania, gazetari Rid Berisha u shpreh se e vetmja parti e cila e ka treguar qartë tregimin politik është Partia Socialdemokrate e Dardan Molliqajt.
Sipas gazetarit, situata politike në Kosovë mbetet e paqartë dhe kontradiktore, veçanërisht në raport me koalicionet dhe qëndrimet e partive kryesore pas zgjedhjeve. Ai thekson se mungesa e një pozicionimi të qartë politik nga disa subjekte ka ndikuar në konfuzionin e qytetarëve dhe në zhvillimet e mëvonshme politike në vend.
“E vetmja që e ka tregimin e qartë politik në këto zgjedhje është Partia Socialdemokrate e Dardan Molliqajt. Tregimi i tij politik është i qartë, me zotin Kurti dhe ideologjinë e tij, me platformën e tij politike, ne nuk bashkëpunojmë fare. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës në gjithë këto vite e kanë cilësuar Kurti si një figurë politike që po shemb Kosovën përbrenda në marrëdhënie ndërkombëtare, dhe po sa të përfundojnë zgjedhjet zbarkojnë tek Kurti duke e parë atë si aleat për konsolidimin e institucionit, si aleat për t’u bërë pjesë e një platforme edhe të koalicionit për qeveri. Dhe kjo duket që njerëzit i bën të paqartë në ditën e votimeve. Nuk duket të jetë një rezultat i pashpjegueshëm politikisht.
Nëse unë ju them juve, që ju jeni përfaqësuesi më sublim që po shkatërroni vendin përbrenda dhe përjashtë, si është e mundur unë të besoj te ju, të kem shpresë te ju që të nesërmen pas zgjedhjeve ju e keni të qartë dhe e keni të sinqertë bashkëpunimin për formimin e institucioneve. Përfaqësuesit e PDK-së dhe të LDK-së nuk ndoqën kursin e duhur për t’i bërë të qartë qytetarit se cili do të jetë pozicioni i nesërm politik në këtë një vit e gjysmë të rrethit të ciklit të krizës që ende e ka Kosova, duke mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme të panevojshme. Edhe PDK dhe LDK nuk e çuan para publikut mesazhin e qartë se çdo të bëjnë edhe ato së bashku po t’i fitonin zgjedhjet, por edhe se ç’do të bënin në raport me partinë e zotit Kurti.
Në këtë kontekst, edhe zonja Osmani është një kontributore me peshë e këtij disponimi politik bashkë me zotin Kurti, duke e goditur SHBA-në në një klimë që u krijua vite më parë, dhe nën atë klimë fituan politikisht. Zonja Osmani ka mjaft pak, mjaft pak arsye, nëse mund ta them edhe morale, që ta godasë zotin Kurti tani se ai qenka sebep, ai qenka arsyeja e madhe e rrënimit të këtij raporti.
Jo, zonja Osmani ishte bashkë me të para shumë vitesh kur fitoi nën narracionin e goditjes edhe të vetë ish-drejtuesve të LDK-së, të PDK-së, se ata po bashkëpunonin me SHBA-të, po ishin servilë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e rrjedhimisht po vinte në pushtet një strukturë premtuese që do ta pavarësonte Kosovën nga ndikimi amerikan.
Kjo është gjë e tmerrshme çfarë i ka ndodhur Kosovës për një grusht vota, për një grusht pushteti, këta politikanë duhet t’i mbajmë përgjegjës, edhe zonjën Osmani, edhe zotin Kurti, që janë kontributorë ma peshë të këtij disponimi që për mua është shqetësues, që është antiamerikan.
Si është e mundur që të konkludohet nevoja e Kosovës për liri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e minojnë demokracinë në Kosovë, po krijojnë struktura politike jashtë bazës votuese. Kështu ka qenë arratimi i tyre: “Po e çlirojmë Kosovën nga ndikimi amerikan”.
Dhe sot ku jemi? Me cilat raporte me SHBA-në? Në një raport të pezulluar. Fatkeqësisht në Kosovë, më vjen keq ta them, por askujt nuk po i bën përshtypje kjo situatë që ka Kosova, institucionet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ai.
The post Kriza politike në Kosovë, a do ta marrë SHBA kontrollin e Prishtinës? appeared first on Euronews Albania.
