Nga mbrojtës legjendar te manjati i medieve, Rio Ferdinand sot fiton dyfishin e pagës së tij te Manchester United
Rio Ferdinand ka treguar se jeta pas futbollit mund të jetë edhe më fitimprurëse sesa karriera në fushë. Ish-mbrojtësi legjendar anglez, dikur një nga futbollistët më të paguar në botë, ka zbuluar se sot fiton pothuajse dyfishin e asaj që përfitonte gjatë kohës te Manchester United.
Ferdinand, i cili gjatë karrierës së tij arkëtonte rreth 7 milionë euro në vit dhe mbi 138 mijë euro në javë me fanellën e “Djajve të Kuq”, tashmë ka ndërtuar një perandori të vërtetë biznesi dhe mediesh sportive.
47-vjeçari, që ka luajtur për West Hamin, Leedsin, Bournemouthin, Queens Park Rangers dhe sidomos Manchester Unitedin, ku fitoi gjashtë tituj të Premier League nën drejtimin e Sir Alex Fergusonit, foli për transformimin e tij në podkastin “The Long Play”.
I pyetur se kur ka fituar më shumë para në jetën e tij, Ferdinand u përgjigj pa hezitim: “Ndoshta në vitet e fundit”.
Sipas mediave britanike, pasuria neto e ish-mbrojtësit anglez kalon 65 milionë eurot. Të ardhurat e tij nuk vijnë vetëm nga roli si analist televiziv, por edhe nga podkasti i famshëm “Rio Ferdinand Presents”, sponsorizimet, investimet në agjenci sportive dhe bizneset private.
Ai është investitor në kompaninë “New Era Global Sports Management”, partner në “LEOS Developments” dhe pronar i “Football Escape”, duke u shndërruar në një nga ish-futbollistët më të suksesshëm në botën e biznesit.
Ferdinand ka folur edhe për jetën e tij të re jashtë Anglisë, duke pranuar se tashmë paguan taksa në Dubai. Ish-lojtari kritikoi sistemin britanik, duke deklaruar se shumë njerëz pyesin veten nëse taksat që paguajnë përdoren realisht për të mirën e qytetarëve.
Megjithatë, ai theksoi se vazhdon ta dojë Anglinë, por e konsideron këtë etapë të re si një kapitull të freskët dhe ndryshe në jetën e tij.
The post Nga mbrojtës legjendar te manjati i medieve, Rio Ferdinand sot fiton dyfishin e pagës së tij te Manchester United appeared first on Euronews Albania.
